Maqedoni
Këshilli i Inspektoratit: 64 parashtresa për inspektorët e shtetit
31.03.2015 14:48
Prej fillimit të këtij viti, në Këshillin Inspektues kanë arritur gjithsej 64 parashtresa të qytetarëve dhe kompanive të cilat ankohen për punën e inspektorëve të shtetit...

Sipas të dhënëve, më shumë vërejtje ka për punën që e bëjnë inspektorët e tregut dhe të punës në terren, ndërsa gjysma tjetër e parashtresave të dorëzuara janë për punën e inspektorëve komunalë, të cilët nuk janë nën kompetencat e Këshillit Inspektues.
“Prej fillimit të këtij viti kemi pranuar 64 parashtresa, të cilat kanë të bëjnë me ankesa dhe vërejtje të qytetarëve dhe kompanive të ndryshme për punën e inspektorëve. Vetëm sot në Këshillin Inspektues do të rishikojmë 5 parashtresa, prej të cilave 4 janë për punën e inspektorëve të punës. Mirëpo kjo nuk do të thotë se vërtet ka shkelje disiplinore nga ana e inspektorëve, sepse çdo individ, i cili dënohet, ka dëshirë të ankohet. Prandaj ne jemi këtu për të diskutuar dhe rishikuar të gjitha anët. Gjysma e vërejtjeve të pranuara, apo mbi 30 parashtresa, nuk janë për punën e inspektorateve shtetërore, por kanë të bëjnë me punën e inspektorëve komunalë që nuk janë nën kompetencat tona”- deklaroi kryetari i Këshillit Inspektues, Vanço Kargov.
Gjatë vitit të kaluar, prej shërbimeve inspektuese janë realizuar gjithsej 200 mijë kontrolle, prej të cilëve një pjesë e madhe e inspektimeve janë bërë nga tregu i inspektoratit dhe atij të punës, nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari.
Sipas informatave të Këshillit Inspektues, në vitin 2014 janë ndërmarrë rreth 41 mijë masa, prej të cilave një pjesë e madhe janë vendime të shqiptuara për shkelje të rregullave në terren, 1.500 dënime, 3 mijë e 200 ftesa për pagesë të gjobave, 3 mijë e 600 shkelje ligjesh, 45 kallëzime penale dhe rreth 4 mijë e 400 edukime.
Prej këtij viti fillon edhe sistemi i ri i vlerësimit të inspektorëve shtetërorë, me ç’rast të gjithë inspektorët duhet të dorëzojnë raport për punën e tyre të bërë dhe në bazë të asaj Këshilli Inspektues të vlerësoj punën e tyre.
REXHEP QAMILI
