Maqedoni
Gostivar, promovohet rinovimi i çerdhes “Lulishtja”
25.01.2024 14:44
Zgjerimi i çerdhes “Lulishtja”, e cila është në kuadër të institucionit publik “Gëzimi fëmijëror” në Gostivar...

Zgjerimi i çerdhes “Lulishtja”, e cila është në kuadër të institucionit publik “Gëzimi fëmijëror” në Gostivar është kompletuar plotësisht, dhe tanimë është e gatshme dhe e pajisur për përkujdesjen e 100 fëmijëve në pesë hapësirat e saj. Në promovimin e objektit të rinovuar, sot, me prerje simbolike të shiritit të kuq, morën pjesë kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari dhe ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska.
“Asgjë nga këto nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen e paçmuar të Bankës Botërore, mbështetja financiare e së cilës prej mbi 34 milionë denarë luajti rol kyç në realizimin e këtij projekti. Ne shprehim mirënjohjen tonë më të thellë për investimin e tyre në të ardhmen e fëmijëve tanë. Mund të themi se sot nuk bëhet fjalë vetëm për hapjen e një shtesë të re; ka të bëjë me festimin e premtimit për një të ardhme më të ndritshme për fëmijët tanë. Le të jetë ky moment një kujtim i fuqisë së përpjekjes kolektive dhe ëndrrave të përbashkëta.”, - tha ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska.
Nga ana tjetër, kryetari i Gostivarit, Arben Taravari, theksoi se objektet e çerdheve në Gostivar dhe kushtet në to janë duke u zgjeruar dhe përmirësuar vazhdimisht.
Mysafirët në promovimin e objektit u mirëpritën nga grupi i fëmijëve me edukatoret e tyre, ndërsa manifestimi përfundoi me një performancë, ku u prezantuan fëmijët e kësaj çerdheje.
LULZIM HAZIRI
