Prishtinë, Pendarovski takoi Osmanin dhe Kurtin

25.01.2024 14:55

Presidenti Stevo Pendarovski qëndroi për vizitë në Prishtinë....

Presidenti Stevo Pendarovski qëndroi për vizitë në Prishtinë ku është pritur nga homologia e tij, Vjosa Osmani.
 
“Me Vjosa Osmanin në Prishtinë biseduam mbi temat aktuale të marrëdhënieve dypalëshe, perspektivën evropiane të të dy shteteve, sfidat në plan rajonal dhe multilateral, si dhe mbi gjendjen e sigurisë në rajon dhe më gjerë. Me Kosovën kultivojmë marrëdhënie miqësore dhe dinamike, të bazuara në respektimin dhe mirëkuptimin e ndërsjellë.”, ka shkruar Pendarovski në fejsbuk. 
 
Në takim me homologun e saj, presidentja Osmani rikonfirmoi përkushtimin për vazhdimin e marrëdhënieve të shkëlqyeshme me Maqedoninë e Veriut. 
 
Sipas Osmanit, të dy shtetet kanë vizion të përbashkët për një Ballkan Perëndimor stabil dhe të integruar në BE. 
 
“Presidentja Osmani tha se me mbështetjen e shteteve mike sikurse Maqedonia e Veriut, Kosova mund të avancojë në rrugën e integrimit evropian. Në këtë kontekst, presidentja Osmani tha se anëtarësimi në Këshillin e Evropës është në funksion të mbrojtjes së të drejtave të njeriut të të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim.”, theksohet në komunikatën e lëshuar nga kabineti i presidentes, Osmani. 
 
Sipas Osmanit, Maqedonia e Veriut nuk është vetëm fqinje e Kosovës, por edhe partnere në shumë procese. 
 
“Procesi i integrimit evropian është prioritet që na bashkon dhe në këtë rrugë ne do të vazhdojmë ta ndihmojmë njëra-tjetrën.”, ka theksuar presidentja Osmani, sipas së cilës shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, janë urë lidhëse ndërmjet të dy shteteve dhe shtyllë e stabilitetit, por edhe e procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut. 
 
Presidenti Pendarovski, gjatë qëndrimit në Prishtinë u prit edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për të vazhduar drejt qytetit të Pejës, ku ka vizituar ushtarët nga Maqedonia e Veriut që shërbejnë në kuadër të misionit të KFOR-it. (Gyltene Sinani, TVM2)