Maqedoni

Rikonstruimi i rrugës së vjetër Shkup – Bllacë, Grubi: Të gjitha projektet janë në përfundim

25.01.2024 15:33

Autoritetet qeveritare inauguruan rikonstruimin e rrugës së vjetër Shkup-Bllacë...

Autoritetet qeveritare inauguruan rikonstruimin e rrugës së vjetër Shkup-Bllacë. Kjo rrugë është në gjatësi prej 10 kilometra, kurse siç njoftuan autoritetet, në disa vende është bërë edhe zgjerimi i rrugës. Ky projekt, sipas tyre, është me rëndësi të madhe për zhvillimin ekonomik dhe lehtësimin e transportit.
 
“Të gjitha projektet të cilat i kemi nisur siç është ky Shkup-Bllacë, siç është rruga prej Struge deri në Qafë Thanë, siç është rruga nga Manastiri deri në Mexhitli, siç ishte edhe rruga nga Kriva Pallanka deri në Deve-Bair, siç është edhe rruga e Arbrit nga fshati Burim deri në Dibër te Ura e Boshkut, janë realizuar apo janë në përfundim të realizimit. Gjithashtu në përfundim të realizimit është edhe 2 kilometërshi i famshëm i rrugës Shkup-Bllacë që brenda javësh do të duhet që të kryhet me punimet.”, - deklaroi zëvendëskryeministri, Artan Grubi. 
 
Rustemi: Investojmë në lidhjen me fqinjët
 
“Prioritet kryesor kanë qenë rikonstruimi dhe rehabilitimi i të gjitha rrugëve që çojnë në pikën kufitare me të gjitha fqinjët tonë, pasi që besoj se rehabilitimi dhe infrastruktura e mirë që lidh me fqinjët tanë ndikon në zhvillimin ekonomik, rritjen e bizneseve dhe njëkohësisht edhe turizmin rajonal.”, - theksoi drejtori i Rrugëve Shtetërore, Ejup Rustemi.
 
Rruga e re Shkup – Bllacë, LEN: Nuk po i shihet fundi 2 km të para
 
Përderisa Qeveria përuroi rrugën e vjetër, opozita shqiptare me parulla në dorë kritikoi mosrealizimin e rrugës së re Shkup-Bllacë. Sipas Lidhjes Evropiane për Ndryshim, vlera e projektit Shkup-Bllacë është rritur skajshmërisht, ndërsa ende nuk po shihet fundi i realizimit. 
 
“Në kontratën e nënshkruar, afati i punimeve është 18 muaj apo një vit e gjysmë, ndërsa vlera e së njëjtës është 14,5 milionë euro. Pas 48 muajve ose 4 viteve, vlera e projektit ka arritur shumën marramendëse prej 30 milionë euro dhe nuk dihet deri në përfundim kjo vlerë sa do të shkojë dhe nuk dihet se kur do të përfundojë.”, - u shpreh Fari Hiseni nga LEN-i. 
 
Ndërkohë, siç bëjnë të ditur nga NP “Rrugët Shtetërore”, në përfundim e sipër është edhe faza e parë e rrugës Shkup-Bllacë. Autoritetet njoftojnë se rruga e re prej dy kilometrash Shkup-Bllacë do të jetë në përdorim kah muaji mars ose prill. Ndërkohë për fazën e dytë prej 10 kilometra procesi është në fazë të përzgjedhjes së kompanisë ndërtimore dhe mbikëqyrëse. 
 
ERSAN PAJAZITI