Maqedoni

Fatkeqësia e autobusit në Llaskarcë, të akuzuarit shpallen fajtorë

25.01.2024 15:49

Fatkeqësia e autobusit të “Durmo Turs” në Llaskarcë në vitin 2019...

Fatkeqësia e autobusit të “Durmo Turs” në Llaskarcë në vitin 2019, që mori me vete 16 viktima dhe la 38 të lënduar, rezultoi me 4 vite burg për të akuzuarin e parë, pronarin e kompanisë “Durmo Turs”, Durmish Beluli; 6 vite burg për Remzi Miftarin, përgjegjësin e kompanisë; nga 5 vite burg për tre të punësuar të tjerë në kompani dhe me 14 vite burg u dënua shoferi i autobusit, Manoil Trifunovski.
 
Pas më shumë se katër viteve gjykim, ekspertiza dhe super-ekspertiza,epilogu gjyqësor i shkallës së parë konstatoi fajësi tek të akuzuarit për mënyrën e mirëmbajtjes dhe drejtimin e autobusit të “Durmo Turs”, i cili ka qarkulluar në linjën Gostivar-Shkup. Sipas vendimit gjyqësor, nga kontrolli teknik është lejuar të kalojë në komunikacion autobus i cili ka pasur disa probleme teknike, përshirë edhe frenat të cilat nuk kanë qenë funksionale në nivelin e paraparë. Është konstatuar manipulim me takografin ku autobusi ka manipuluar me matjen e drejtë të shpejtësisë edhe pse të vetëdijshëm për rrezikim e jetës së udhëtarëve. Autobusi është drejtuar me shpejtësi 19 km më shumë në orë nga ajo që ishte e lejuar.
 
“Gjatë kryerjes së kontrollit teknik gjashtë mujor, ku kanë qenë prezent edhe i akuzuari, Durmish Beluli dhe Igor Gjeorgjievski, edhe pse e kanë perceptuar se autobusi ka parregullsi sa i përket sistemit të menaxhimit, për shkak të lëshimit të vajit, parregullsi në sistemin e frenimit ku sistemi ABS ka qenë në kabllo të larguara dhe në gjendje të dukshme jofunksionale. Gjatë matjes së efikasitetit të frenimit, rezultatet kanë treguar se edhe i zbrazët autobusi nuk ka pasur efikasitetin e nevojshëm për frenim me 32%.”, - deklaroi gjykatësja, Dijana Gruevska Ilievska.
 
“Ne sigurisht që prisnim vendim për dënimin e të akuzuarve. Sa i përket vendimit për sanksionet, sigurisht se ajo do të shqyrtohet nga ana jonë. Pritjet tona ishin se dënimet nuk do t’i afrohen minimumit ligjor që është nga 4 deri 20 vite.”, - theksoi prokurori publik, Darko Jakimovski.
 
Si familjarët e viktimave, ashtu dhe familjarët e palës së akuzuar nuk janë të kënaqur me vendimin e gjykatës.
 
“Si të jemi të kënaqur, prisnim që të akuzuarit të marrin dënime maksimale. I akuzuari i parë u dënua 4 vite. Si të jemi të kënaqur kur 16 persona e humbën jetën. Këto janë dënimet minimale që u dhanë.”, - u shpreh familjari i viktimave, Blagojçe Tërpevski.
 
“Drejtësia nuk punon si duhet, nuk është reale dhe do t'ia lëmë kompetencave të organeve më të larta. Sa e shoh unë, nuk është e drejtë kjo. Nuk jemi të kënaqur. Deri sa nuk pastrohet gjykata në RMV, nuk mendojmë të ketë drejtësi reale.”, - u shprehën familjarët e të akuzuarve, Sinan Elezi.
 
Në periudhën e ardhshme do të vendoset nëse pala e dëmtuar dhe avokatët e tyre mbrojtës do ta ankimojnë vendimin në fjalë.
 
FLORIJE KAMBERI