Maqedoni

Qeveria teknike, Kovaçevski dhe Xhaferi dorëhiqen, Kovaçevski: Xhaferi vazhdon kursin aktual politik

25.01.2024 16:06

Kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe kryeparlamentari Talat Xhaferi dorëzuan dorëheqjet e tyre.....

Kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe kryeparlamentari Talat Xhaferi dorëzuan dorëheqjet e tyre. Kovaçevski, i cili personalisht deponoi dorëheqjen e tij në Kuvend,  realizoi një takim të shkurtër koordinativ me Xhaferin. Paraprakisht kishte takuar edhe ministrat në kabinetin e tij qeverisës për punën e bërë në ekzekutiv. Pasi numëroi aktivitetet e realizuara, adresoi porosi mandatarit të ardhshëm.

“Talat Xhaferi është politikan me përvojë, i cili ka përvojë të madhe në udhëheqjen e Parlamentit. Unë erdha me përvojë tjetër menaxhim të korporatave, andaj stili do të jetë i ndryshëm, megjithatë shteti do ta mbajë drejtimin strategjik, orientimin perëndimor dhe partneritetin me ShBA-në. Qeveria teknike do të kujdeset njësoj për qytetarët pasi që ende jemi në krizë. Kjo është diçka e parashikuar me ligj. Më 9 maj sërish unë do të udhëheq me Qeverinë dhe me këtë shumicë parlamentare, e cila do të sigurojë anëtarësim të plotë të vendit në BE deri në vitin 2030.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
 
Xhaferi: Angazhohem për zgjedhje demokratike
 
Xhaferi me dorëheqjen, njëherazi autorizoi nënkryetarin e Kuvendit, Goran Misovskin, të kryesojë me seancën plenare të së premtes. 
 
Dorëheqjet e kryeministrit, Dimitar Kovaçevski dhe kryeparlamentarit, Talat Xhaferi, do të konstatohen të premten. Në seancë të posaçme po nesër zgjidhet Jovan Mitreski për kryeparlamentar. 
 
Mandatari i ardhshëm, Xhaferi, i cili nga e diela kalon në krye të ekzekutivit, zotohet për organizimin e zgjedhjeve fer dhe demokratike.
 
“Kjo është një sfidë në vete, personalisht për mua si bartës i atij funksioni. Dhe duke pasur parasysh komunikimin me përfaqësues që do të jenë pjesë e asaj qeverie, konsideroj se të gjithë e kemi të qartë se e kemi për obligim që këtë ta sigurojmë për qytetarët.”, - theksoi kryeparlamentari, Talat Xhaferi. 
 
Kabineti i Xhaferit do të plotësohet me ministrat dhe zëvendësit teknik nga VMRO – DPMNE. Pançe Toshkovski do të jetë ministër teknik i Punëve të Brendshme, ndërkaq Gjoko Vellkovski, i Politikës Sociale. Ndërkaq, Elena Petrova do të jetë zëvendësministre në dikasterin e Financave, Stefan Andonovski në Shoqërinë Informatike dhe Administratë, Cvetan Tripunovski në Bujqësi. Ministrat e BDI-së dhe ASh-së mbeten të njëjtë, përpos që zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, do të zëvendësohet nga Bojan Mariçiq.
 
MERAL ISMAILI