Botë

Shqipëri, opozita bllokon seancën kuvendore

25.01.2024 17:59

Deputetët e opozitës vijuan skenarin e bllokimit edhe në seancën e sotme plenare....

Deputetët e opozitës vijuan skenarin e bllokimit edhe në seancën e sotme plenare. Me zhurmues e pankarta në duar, kësaj here munguan karriget pirg dhe flakadanët. Në seancën vetëm 12-minutëshe, u miratuan propozim-ligjet përfshirë atë për shkrirjen e agjencisë së diasporës dhe aktin normativ për tatimin mbi të ardhurat, por u rrëzua propozimi i Monika Kryemadhit për indeksimin e pagave. Pas seancës, Salianji akuzoi se PS-ja po përdor deputetët e Bashës për të arritur qëllimet dhe kërkoi që bashkëkryetari i komisionit të Reformës Zgjedhore të jetë nga radhët e Rithemelimit.
 
“Bashkëkryetar e komisionit të reformës zgjedhore, proporcionaliteti është i mirëpritur. Të mos ndërhyjnë në punët e brendshme të grupit parlamentar të PD-së.”, - u shpreh Salianji.
 
Deputeti demokrat Kreshnik Çollaku u bëri thirrje kolegëve të Rithemelimit për dialog, por qartazi kundërshtoi propozimin për bashkëkryetar nga radhët e tyre.
 
“Do të tentojmë dhe dialog brenda llojit, t’i thërrasin arsyes. Mbështesim pa rezervë hetimoret. Pretendimi i dytë me përbërjen e zgjedhores, i pandershëm. Do të asgjësonte nga përfaqësimi PD-në nga komisioni zgjedhor. Përderisa përfaqësues zyrtarë të PD-së jemi ne, s’ka mundësi tjetër për formulime të tjera. Propozimi është gjithëpërfshirës. Lista të hapura, vota e diasporës, votim elektronik dhe zonë një emërore. Beteja “ulu prift e ulu hoxhë” na dëmton.”, - u shpreh Kreshnik Çollaku nga PD-ja.
 
Arsyeja logjike dhe tejkalimi i interesave personale, do të çonin në bashkim të demokratëve, thotë Çollaku, i cili shton se skenari i bllokimit është një rrugë pa krye që po kthehet në komoditet për mazhorancën.
 
LULJETA NDOKA