Analistët: Refuzimi i KE-së të monitorojë rastin “Puç”, porosi se Brukseli nuk pranon rolin e vëzhguesit
Refuzimin e kërkesës së Prokurorisë Publike nga KE që të jetë monitoruese në proceset gjyqësore në rastin “Puç” dhe në përgjimet masive, analistët e vlerësojnë si taktikë të ndërkombëtarëve për t’u shmangur nga involvimi i tyre vetëm si vëzhgues...

Sipas ekspertit juridik, Naser Zyberit, vendimi i KE-së si organ iniciues shton bindjen edhe më tepër se prokuroria me këtë strukturë udheheqëse nuk gëzon mbështetjen e faktorit ndërkombëtar. Ata duan që më parë të arrihet zgjidhje politike, e më pas të involvohen jo vetëm në cilësinë e vëzhguesit, por edhe si ekzekutues, shprehet Zyberi.
“Po të merrnin pjesë në cilësinë monitoruese, me këtë qeveri dhe me këtë prokuror do ta legjitimonin vendimin e prokurorisë, i cili apriori dihet që do të ishte në dëm të opozitës dhe në këtë mënyrë do të thirreshin në faktorin ndërkombëtar për ta legjitimuar një vendim, sigurisht, joligjor dhe të padrejtë. KE nuk dëshiron këtë ta bëjë dhe dëshiron që së pari të ketë zgjidhje politike, dorëheqje të qeverisë, duke ia pamundësuar ndikimin politik, shkarkim të prokurorit dhe caktimin e një prokurori me kredibilitet dhe pastaj involvim i faktorit ndërkombëtar, por jo vetëm në cilësinë e monitoruesit, por edhe në cilësinë e ekzekutuesit dhe marrësit të vendimeve”- tha eksperti juridik, Naser Zyberi.
Ndërsa për analistin politik, Agim Jonuz, vendimi i Brukselit është mesazh i cili sprovon pjekurinë dhe gatishmërinë e institucioneve vendore. Ai sqaron se tanimë pika e integrimit të Maqedonisë në BE është në rënie dhe nëse mesazhi nuk kuptohet siç duhet, atëherë vendi nuk vijon rrugën e drejtë.
“Ky është fillim i një gjëje e cila do të jetë më e ashpër dhe më e keqe, sepse ne me atë që paraqitemi pranë syve të faktorit ndërkombëtar, të personifikuar si KE, vetëm na e bëjnë me dije si një prapavijë që ne aspak nuk jemi ajo që e paraqesim veten para botës, dhe tani ata na lënë vetë të tregojmë që kemi pjekuri për ta tejkaluar këtë, që kemi gatishmëri, kapacitet, por faktori ndërkombëtar nuk është aspak i verbër, e aq më pak budalla dhe për atë na kanë lënë vetë që të tregojmë pjekuri. Por a e kemi, ajo është një pyetje me tre pika në vazhdimësi”- tha analisti, Agim Jonuz.
Njëherit, analistët tërheqin vërejtjen se nëse nuk arrihet marrëveshje mes pushtetit dhe opozitës për daljen e vendit nga kriza politike, kjo do të vazhdojë të ndikojë në uljen e kredibilitetit të institucioneve të vendit si tek qytetarët ashtu edhe para faktorit ndërkombëtar. (Besa Jashari, TVM2)
