Maqedoni

Korridoret 8 dhe 10-D, Antikorrupsioni ngre dyshime për korrupsion

26.01.2024 14:30

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit ngrit vërejtje dhe dyshime të shumta për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10-D...

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit ngrit vërejtje dhe dyshime të shumta për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10-D me “Behtel dhe Enka”. Pas prezantimit të analizës për vendimet e marra të organeve shtetërore, miratimin e ligjit dhe lidhjes së kontratës për ndërtimin e korridoreve, nga KShPK-ja kërkojnë që Prokuroria Themelore Publike të veprojë më tutje. Anëtarja e KShPK-së, Katica Nikolovska, tha se nëse merret parasysh se kontrata për ndërtimin e 109 kilometrave autostradë në vlerë prej 1,3 miliardë është e shënuar si konfidenciale, kjo ngre dyshime për korrupsion të mundshëm. Kontratën që kërkuam nga Qeveria pas shumë korrespondencash e morëm jo të plotë, theksoi Nikollovska.

“Veprimi i tillë i Qeverisë, deputetëve dhe Kuvendit flet për vendim të harmonizuar dhe duke shkelur me vetëdije një sërë ligjesh akte interne, procedura me qëllim sigurimin e përfitimeve ligjore të personave juridik, por edhe ekskluzivitet gjatë sjelljes së vendimeve për persona fizik. Aktivitetet e përfaqësuesve të Qeverisë sa i përket nënshkrimit të memorandumit dhe deklaratave se janë kontaktuar nga përfaqësues të “Behtel dhe Enka” për idenë e ndërtimit të projektit në bazë të parimit "çelës në dorë" mund të vlerësohen si në kundërshtim me ligjin për lobim.”, - deklaroi anëtarja e KShPK-së, Katica Nikollovska.
 
“Le të dijë publiku, që të mos ketë perceptim se ka korrupsion. Deri në këto momente nuk ka korrupsion, më tutje do të  ndjekim. Nuk ka korrupsion deri më tani, por ka keqpërdorim të dispozitave ligjore. Ajo që rruga, gjegjësisht që nuk kemi projekt, nuk na mundësoi të vërtetojmë edhe rrezikun e fundit që deshëm ta vërtetojmë gjatë hapjes së kësaj lënde dhe ajo është se cilëve persona u janë paguar mjete për shpronësimin e tokave.”, - theksoi anëtari i KShPK-së, Shemsi Sallai.
 
KShPK-ja, po ashtu theksoi se kanë indicie për sjellje të papërshtatshme dhe të kundërligjshme të personave të caktuar.
 
FLORIJE KAMBERI