Mickoski: 100 ditët e Qeverisë teknike, të rëndësishme për zgjedhje kredibile

26.01.2024 15:33

Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski...

Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka prezantuar kandidatët për ministra dhe zëvendësministra në Qeverinë teknike. Njëherit ai ka vlerësuar se 100 ditët e Qeverisë teknike janë shumë të rëndësishme për proces kredibil zgjedhor.

“100 ditët e ardhshme janë esenciale për të pasur sidoqoftë proces kredibil zgjedhor, sepse duke lënë anash folklorin dhe estradën që e shohim në skenë që vjen nga koalicioni në pushtet, nuk ka njeri në vend i cili nuk e ka të qartë se zgjedhjet e ardhshme i fiton VMRO-DPMNE-ja. Detyrë primare e jona është konsolidimi si koalicion i votës antiqeveritare.”, - deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

Toshkovski: Do të aplikoj sundimin e ligjit për të gjithë

Sundimi i së drejtës do të jetë obligimi i parë që duhet aplikuar, thotë kandidati i VMRO-DPMNE-së për ministër të brendshëm.

“Sundimi i drejtësisë do të jetë i pari që duhet aplikuar, ku qytetarët do të jenë të barabartë para ligjit, ku ligji do të vlejë njëjtë për të gjithë, ku nuk do të ketë privilegje për njerëz të caktuar të ndonjë eshaloni të privilegjuar deri tani.”, - theksoi kandidati për ministër të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.

LSDM: Kandidatët e VMRO-së, ofertë e dobët

Pjesë e Qeverisë teknike nga VMRO-DPMNE-ja janë propozuar të jenë Gjoko Velkovski, ministër i Punës dhe Politikës Sociale; Elena Petova, zëvendësministre në Financa; Stefan Andonovski në Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës dhe Cvetan Tripunovski, zëvendësministër i Bujqësisë.

Nga LSDM-ja i kanë vlerësuar si ofertë e dobët kandidatët e VMRO-DPMNE-së për Qeverinë teknike. Një pjesë e kandidatëve janë miq personal të Mickoskit, disa janë ish-zyrtarë në Qytetin e Shkupit dhe një pjesë kuadro të Nikolla Gruevskit. “

“Mickoski ka deklaruar se puna e Qeverisë teknike do të jetë horror, ku do të ketë shkulje flokësh në mbledhje. Kjo është qasja me të cilën funksionon DPMNE-ja dhe dëshmon se asgjë nuk është ndryshuar në këtë parti. Tentimi për horror i Mickoskit dhe DPMNE-së do të mposhtet më 8 maj.”, thonë nga LSDM-ja, sipas të cilës fronti evropian i udhëhequr nga LSDM-ja do ta mposhtin Mickoskin dhe VMRO-DPMNE-në. (Nermin Mulaki Fejzullahu, TVM2)