Maqedoni
Kuvend, Mitreski zë vendin e Xhaferit
26.01.2024 16:04
Jovan Mitreski ulet në karrigen e kryeparlamentarit, pasi mori mbështetjen e 64 deputetëve...

Jovan Mitreski ulet në karrigen e kryeparlamentarit, pasi mori mbështetjen e 64 deputetëve, ndërkohë që 40 votuan kundër, menjëherë pas konstatimit të dorëheqjes së Talat Xhaferit. Mitreski pasi dha betimin, tha se krahas nderit, përgjegjësia e të qenit kryeparlamentar është e madhe. Ai u zotua se do të punojë për një efikasitetet më të madh të ligjvënësit, si dhe do bashkëpunojë me të gjitha partitë.
"Mbetem i hapur për bashkëpunim me të gjitha grupet parlamentare përderisa shoh, mendoj dhe ndjej se ajo që bëhet në anën e kundërt, është në interes të qytetarëve dhe shtetit, pasi këto janë interesa parësore për të gjithë ne.”, - deklaroi kryeparlamentari, Jovan Mitreski.
Opozita kritikoi Xhaferin dhe Mitreskin
Emërimi i Jovan Mitreskit për kryetar të Parlamentit u pasua me kritika nga VMRO-DPMNE-ja dhe e Majta. Për BDI-në, Mitreski është opsioni i duhur për të menaxhuar me Kuvendin deri në zgjedhje.
BDI-ja vlerësoi edhe punën e Xhaferit pasi u hodhën një sërë kritika nga deputeti Micevski për shkelje të rregullores dhe heshtjen e debatit, duke votuar 450 ligje me procedurë të përshpejtuar.
“Gjithçka që keni premtuar nga kjo foltore, e keni bërë të kundërtën. Kjo shumicë tregoi jokonzistencë në qëndrime, klientelizëm, me qëllimin e vetëm për të mbajtur me çdo çmim pushtetin.”, - theksoi Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE.
“Shijo 100 ditët në vijim dhe bëhu si faraon, më keq se Xhaferi dhe kur të kthehesh në Strugë me CV-në e zbrazët, por xhepat plot.”, - u shpreh Dimitar Apasiev nga e Majta.
Ademi: Mitreski, pasardhësi adekuat i Xhaferit
“Është fakt se për drejtimin në të cilin ka lëvizur Kuvendi i RMV-së në vitet e fundit ka merita kryetari i deritanishëm i Kuvendit, zotëri Xhaferi. Mendoj se propozimi që koordinatori i deritanishëm i grupit parlamentar të LSDM-së dhe koalicionit, zotëri Jovan Mitreski, të zgjidhet kryetar i ri i Kuvendit është zgjedhja më e mirë që mund të bëjmë nëse duam ta vazhdojmë rrugën që kemi trasuar të gjithë së bashku për gati shtatë vitet e fundit.”, - theksoi deputeti i BDI-së, Arbër Ademi.
Xhaferi: Kuvendi me mitreskin në ujëra të sigurt
Edhe Talat Xhaferi me dorëzimin e detyrës Mitreskit, uroi për ujëra të qetë në funksionimin e Kuvendit.
“Nuk dyshoj që me sukses do ta zbatojë funksionin, përgjegjësinë që bart funksioni kryetar i Parlamentit, kështu që unë nuk e kam dilemë dhe e kam nderin të jem bashkërenditës i të gjithë veprimeve dhe përkushtimit që kemi bërë për shtatë vite bashkërisht me të dhe me deputetët tjerë për të arritur në një konsensus që të kemi rregullore të re, që prej mandatit tjetër të mos kemi hapësirë të ballafaqohemi me të gjitha ato situata që jemi ballafaquar deri më tani.”, - deklaroi mandatari i ri, Talat Xhaferi.
Jovan Mitreski do të drejtojë Kuvendin deri në zgjedhje, shpallja e të cilave do të bëhet kah mesi i shkurtit. Kuvendi paraprakisht konstatoi dorëheqjen edhe të kryeministrit Kovaçevski, i cili sikurse Xhaferi zgjodhi të mos shpjegohet para deputetëve.
MERAL ISMAILI
