28 janari, Dita e mbrojtjes së të dhënave personale
Mbrojtja maksimale e të dhënave personale....

Mbrojtja maksimale e të dhënave personale mund të arrihet vetëm përmes harmonizimit të ligjeve, monitorimit të vazhdueshëm të teknologjisë, përgjegjësisë normative dhe ngritjen e vetëdijes publike.
Këto u thanë në debatin e kushtuar temës “Përforcimi i gjyqësorit dhe mbrojtja e të rinjve në epokën digjitale”, që u organizua me rastin e 28 janarit - Ditën evropiane të mbrojtjes së të dhënave personale. Ambasadori evropian në Shkup, Dejvid Gir, theksoi rëndësinë e ndërgjegjësimit masiv dhe të vazhdueshëm të qytetarëve, institucioneve dhe harmonizimit të dispozitave ligjore për mbrojtjen e të dhënave personale.
“Mbrojtja e të dhënave nuk është thjesht një koncept ligjor abstrakt, është një e drejtë themelore, është baza e shoqërisë sonë demokratike. Ligjet duhet të përshtaten me teknologjinë, si pjesë e angazhimit tonë për të krijuar një sistem ligjor që është në interesin më të mirë të qytetarëve.”, - deklaroi ambasadori i BE-së në Shkup, Dejvid Gir.
Sipas drejtorit të Agjencisë për mbrojtjen e të dhënave personale, Imer Aliu, qindra ligje ende nuk janë harmonizuar me ligjin aktual për mbrojtjen e të dhënave personale dhe kjo paraqet problem serioz për të arritur qëllimin.
“Kemi problem serioz me harmonizimin e ligjeve. Duke marrë parasysh se në vendin tonë duhet të harmonizohen qindra ligje aktuale me ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale ky proces fare nuk lëviz. Ne po mundohemi, jemi në kontakt të vazhdueshëm me Qeverinë, ata kanë gatishmëri, na kuptojnë, por fatkeqësisht nuk po ndodh. Pres që në të ardhmen t’i kushtohet më shumë vëmendje kësaj çështjeje.”, - theksoi drejtori i Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Imer Aliu.
Drejtoresha e Akademisë së Gjyqtarëve dhe Prokurorëve të Rinj, Natasha Gaber – Damjanovska, tha se duhet të përforcohen edhe kapacitetet e gjyqësorit dhe prokurorëve publik lidhur me mbrojtjen e të dhënave personale.
“Është e nevojshme që të rritet vetëdijesimi dhe gatishmëria e profesionistëve juridik dhe në këtë drejtim mund të them se ne këtë gjë vazhdimisht e bëjmë në kuadër të akademisë për të qenë sa më të trajnuar, sa i përket mbrojtjes së të dhënave personale. Po ashtu kjo temë është e përfshirë edhe në trajnimet fillestare të gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj.”, - u shpreh drejtoresha e Akademisë së Gjyqtarëve dhe Prokurorëve Publik, Natasha Gaber – Damjanovska.
Dita evropiane për mbrojtjen e të dhënave personale, 28 janar, është dita ku shënohet përvjetori i miratimit të Konventës së Këshillit të Evropës për mbrojtjen e të dhënave personale, dokument i parë i detyrueshëm ndërkombëtar në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale. (Rexhep Qamili, TVM2)
