Botë

GjND: Të parandalohen aktet e gjenocidit në Gazë

26.01.2024 17:17

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë urdhëron Izraelin të marrë masa për të parandaluar akte të gjenocidit në Gazë...

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë urdhëron Izraelin të marrë masa për të parandaluar akte të gjenocidit në Gazë. Duke konstatuar se ka juridiksion për të vendosur për masa urgjente, të kërkuara nga Afrika e Jugut, në rastin kundër Izraelit, në luftën kundër Hamasit në Gazë, Gjykata ka thënë se nuk do të refuzojë rastin, siç ka kërkuar Izraeli. Kryetarja e trupit gjykues, Joan Donoghue, ka deklaruar se gjykata është “thellësisht e shqetësuar” nga vazhdimi i humbjes së jetës dhe vuajtjeve të njerëzve. Por ekspertët ndërkombëtarë të drejtësisë nuk presin vendim të shpejtë përfundimtar nga GjND-ja. 
 
“Kjo fazë e procedurës është shumë preliminare, nuk pritet të ketë vendim përfundimtar në një të ardhme të afërt nga ana e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, pasi ky proces gjykimi mund të zgjatet, për t’u vërtetuar nëse Izraeli ka kryer gjenocid.”, - deklaroi profesori i Drejtësisë, Himena Keiter. 
 
Hamasi: Do ta respektojmë vendimin e GjND-së
 
Hamasi është shprehur i gatshëm ta respektojnë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë, por kërkon që edhe Izraeli ta respektojë vendimin.
 
“Nëse Gjykata e Hagës vendos të bëjë thirrje për të ndaluar luftën, atëherë Hamasi do ta respektojë vendimin, me kusht që edhe armiku ta respektojë gjithashtu. Fraksioni do t’i lirojë pengjet të cilat i mban, nëse okupatori do t’i lirojë të gjithë të burgosurit palestinez që mbahen në burgjet e Izraelit.”, - theksoi përfaqësuesi i grupit Hamas, Osama Hamdan. 
 
Izrael, protesta për lirimin e pengjeve
 
Ushtria izraelite njofton se ka filluar një aksion të ri luftarak në Kan Junis. Mbi 190 palestinezë janë vrarë dhe 377 të tjerë janë plagosur në 24 orët e fundit nga kjo ofensivë. Viktimat dhe të plagosurit në momentin e sulmit ishin duke pritur radhë për ushqim. Sekretari i përgjithshëm i OBSh-së, bëri thirrje për armëpushim dhe gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme për konfliktin izraelo-palestinez. Në Tel-Aviv, familjet e pengjeve Izraelite, vazhdojnë protestat për lirimin e të afërmve të tyre.
 
“Ata janë atje për më shumë se 100 ditë, një pjesë e tyre kanë humbur jetën dhe nuk e dimë saktësisht sa është numri i të vdekurve dhe kjo nuk duhet të vazhdojë më tej. Këtu nuk ka fitues, nuk ka as fitore të plotë, ka vetëm humbje. E vetmja rrugëzgjidhje është paqja, tjetër mënyrë nuk ka.”, - u shpreh protestuesja, Iris Milner.
                                                                                                 
Ushtria izraelite ka kryer një seri sulmesh mbi Hamasin. Në rajonet kufitare me Libanin është bombarduar edhe aeroporti që e shfrytëzon grupi libanez i Hamasit.  Bombardime të mëdha ka pasur edhe në Detin e Kuq.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU