Maqedoni

Zgjedhjet, vendi drejtohet nga qeveria e tretë teknike

27.01.2024 15:58

Vendi prej të hënës po hyn në epokën e qeverisjes teknike për 100 ditë...

Vendi prej të hënës po hyn në epokën e qeverisjes teknike për 100 ditë në krye me Talat Xhaferin kryeministër. Qeveria teknike apo kalimtare për herë të parë u praktikua në vitin 2016-të duke u futur si zgjidhje ligjore për zgjedhjet parlamentare të shtatë viteve më parë.
 
Arsye për vendosjen e kësaj praktike ishte mosbesimi në procesin zgjedhor pas skandalit zgjedhor me përgjimet masive dhe publikimin e të ashtuquajturave “bomba” duke shpier vendin në krizë politike. Marrëveshja për formimin e një qeverie kalimtare u arrit pas dialogimit maraton në Përzhinë të Shkupit midis faktorit politik vendas dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë.
 
Qeverinë e parë teknike e udhëheqi Emil Dimitriev nga VMRO-DPMNE. Qeveria e dytë teknike u praktikua në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020-të, e udhëhequr nga Oliver Spasovski.
Vitin e kaluar, partitë politike vunë në dilemë nevojën e formimit të qeverisë kalimtare. Qeveria dhe opozita propozuan shfuqizimin e qeverisë teknike, por një marrëveshje politike për këtë çështje nuk u arrit në prag të zgjedhjeve vijuese.
 
Qeveria teknike ngërthen në vete përfaqësues nga opozita: dy ministria në MPB dhe Sociale, si dhe tre zv/ministra shtesë në financa, administratë dhe bujqësi. Në kuadër të qeverisjes teknike, siç parashikohet në ligj, ministri dhe zëvendësi plotësues ushtrojnë kompetencat e tyre bashkërisht dhe në mënyrë të barabartë. Në rast mosmarrëveshjeje midis tyre, nëse një çështje e caktuar juridike, financiare apo kadrovike ka të bëjë me zgjedhjet, do të duhet të vendosë KSHZ-ja.
 
Në Ministrinë e Brendshme, nga ana tjetër, ministri i opozitës ka të drejtë të kryejë maksimum 15 shkarkime ose vendosje në nivel më të ulët ose më të lartë të titullarëve të posteve drejtuese, si dhe vendosje horizontale prej 10 për qind. Në rastet kur ministri emëron drejtues të rinj, zëvendësministri shtesë do të propozojë një zëvendësdrejtor shtesë.
 
Këtë qeveri teknike do ta udhëheqë Talat Xhaferi, si kryeministër i parë shqiptar. Pjesë e kabintetit të tij do të jenë ministrat e njëjtë të ekipit të Kovaçevskit, shtuar këtu edhe dy ministra dhe tre zëvendësa të propozuar nga Mickoski.
 
Aktiviteti i qeverisë teknike pushon me përfundimin e zgjedhjeve të cilat do të kulmojnë më 8 maj, ditën e votimit. Këto janë zgjedhjet e 11-ta parlamentare që po zhvillohen në vend që nga mëvetësimi i shtetit.
 
MERAL ISMAILI