Maqedoni
Qeveria teknike, Xhaferi dërgon programin në kuvend
27.01.2024 16:20
Mandatari për formimin e qeverisë teknike Talat Xhaferi ka dorëzuar në Kuvend...

Mandatari për formimin e qeverisë teknike Talat Xhaferi ka dorëzuar në Kuvend propozim programin qeverisës së bashku me emrat e ministrave të kabinetit të tij. I menjëhershëm ka qenë veprimi I kryetarit të kuvendit Jovan Mitreski, I cili ka caktuar seancën për votimin e qeverisë teknike të dielën në ora 11.
Ahmeti: Nesër, ditë historike për shqiptarët
Ndërkohë, kryetari i BDI -së Ali Ahmeti, 28 Janarin e ka quajtur ditë historike, sepse sipas tij, zgjedhja e kryeministrit të parë shqiptar nënkupton realizim të njërës nga përpjekjet politike, ndërkaq Talat Xhaferi si kryeministër 100 ditësh është element që pasqyron shoqërinë e barabartë, thotë Ahmeti.
“Nesër është ditë historike. Nesër e diel me 28 janar të motit 2024, zgjedhim kryeministrin e parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Kjo ditë është historike, sa për shqiptarët aq edhe për maqedonasit, si dhe për gjithë të tjerët, sepse po bëhemi shtet dhe shoqëri e barabartë dhe po tejkalojmë të gjitha paragjykimet. Bashkarisht po ndërmarrim përgjegjësinë për t'i prirë vendit, jo njëri pas tjetrit, por krah për krah bashkë, për një Maqedoni Evropiane”, u shpreh kryetari i BDI -së Ali Ahmeti.
Mickovski: S'pritet qeverisje më e mirë
Nga VMRO-DPMNE-ja me të njëjtin qëndrim se deputetët e tyre nuk do të votojnë në seancë plenare për zgjedhjen e qeverisë teknike. Kryetari i kësaj partie Mickovski s'pret ekzekutiv më të mirë as nga mandatari Talat Xhaferi.
“Ky është njeriu që nga fillimi deri në fund si kryetar i Kuvendit të Maqedonisë bëri shumë lëvizje antikushtetuese dhe të kundërligjshme... Pres që politikat e këqija të vazhdojnë. Edhe pse dikur mund të kemi qenë unanim se nuk do të bëhet më keq se kaq, mendoj se është një qëndrim pesimist, duhet të jemi optimistë, prapë pres që në këto njëqind ditë të jetë më keq”, theksoi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
LSDM: VMRO-ja propozoi kuadro pa potencial
Për LSDM-në kuadrot e propozuar nga VMRO-ja janë kuadër pa potencial.
“DPMNE-ja për qeveri teknike ofroi kuadro të dobëta dhe joprofesional, mes tyre mik personal të Mickovskit, kuadër nga koha e regjimit të Gruevskit, ish funkisonar të qytetit të Shkupit si dhe kuadër me kallëzim penal për shpërdorim detyre”, thuhet në komunikatën e LSDM-së.
Në programin e mandatarit të qeverisë teknike gjenden edhe emrat e ministrave të VMRO – DPMNE-së. Pançe Toshkovski do të jetë ministër teknik i punëve të brendshme, ndërkaq Gjoko Vellkovski i politikës sociale. Elena Petrova do të jetë zëvendës ministre në dikasterin e financave, Stefan Andonovski në shoqërinë informatike dhe administratë dhe Cvetan Tripunovski në bujqësi.
NERMIN MULAKU FEJZULLAHU
