Maqedoni

Alternativa Kumanovë: Deri kur EVN-ja do t’i zhvasë qytetarët?!

27.01.2024 16:42

Faturat e larta të energjisë elektrike në RMV çdo ditë e më tepër po i shqetësojnë qytetarët...

Faturat e larta të energjisë elektrike në RMV çdo ditë e më tepër po i shqetësojnë qytetarët e shumtë të cilët ankohen për fatura marramendëse. Një fenomen i këtillë tash e një kohë ka prekur edhe qytetarët e Kumanovës, të cilët përmes rrejteve sociale publikojnë faturat e tyre me çmime thuajse dy apo tre fish më të larta se muajt paraprak.
 
E mu për këtë arsye partia Alternativa, dega në Kumanovë, përmes një konference për gazetarë para qendrës së EVN në Kumanovë, kritikoi të njejtën duke e akuzuar për zhvatje të qytetarëve.
 
“Faturat e qytetarëve të Kumanovës, të harxhimit të energjisë elektrike janë të frikshme. Fatura të tilla nuk gjen askund në botë. Kjo sidomos i dëmtoi mërgimtarët, të cilët qëndruan në vendlindje një ose dy javë, ndërsa paguan energji elektrike nga 300 deri në 1000 euro. I dëmtoi edhe kumanovarët të cilët paguan fatura të energjisë elektrike dyfish më të larta se në të kaluarën. Prandaj i pyesim publikisht institucionet e shtetit dhe drejtuesit e EVN-së se kur do të jetë mjaft? A do të ngopet dikur grykësia e tyre dhe zhvatja e xhepit të qytetarëve?”, theksoi mes tjerash, Orhan Kurtishi nga Alternativa. 
 
Orhan Kurtishi, kryetar i Alternativës dega Kumanovë gjithashtu tha se për fat të keq, qeveria po e fsheh fytyrën e vërtetë të EVN-së. Komoditeti i EVN-së ka një emër, e ai është xhepi i partive të koalicionit në qeveri, u tha mes tjerash në këtë konference për gazetarë.
 
FATLUM AQIFI