Maqedoni

Zgjedhja e Xhaferit kryeministër, Ahmeti: MO na bëri zot në shtëpinë tonë

28.01.2024 18:50

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti në fjalimin e tij në Kuvend tha se Marrëveshja paqësore e Ohrit...

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti në fjalimin e tij në Kuvend tha se Marrëveshja paqësore e Ohrit i ka mundësuar Talat Xhaferit që të zgjidhet kryeminstër i parë shqiptar në vend, ku shqiptarët do të jenë zot në shtëpitë e tyre. 
 
Me zgjedhjen e Xhaferit në krye të Qeverisë teknike, Ahmeti tha se vendi tashmë dëshmon se është multietnik dhe i hapur për të gjithë dhe sa ka ikur koha kur dikur, disa individ shiheshin si pronarë të këtij vendi, e shqiptarët si qiraxhi.
 
“Nuk është e vërtetë që ju jeni qiraxhi, e as kolegët e mi nuk janë qiraxhi,  por është një e vërtetë që marrëveshja e Ohrit, i dha të drejtë Talat Xhaferit të jetë zot në shtëpinë e tij. Kjo marrëveshje nuk u ndryshoi vetëm karakterin e shtetit, nuk ndryshoi vetëm statusin e shqiptarëve, por me këtë marrëveshje fituan të gjithë që jetojnë në Maqedoni, si turqit, romët, serbët, etj. Dhe kjo marrëveshje neve na ka bërë zot në shtëpinë tonë dhe ju duhet të jeni krenarë, sepse këto 22 vite bashk kemi punuar, nuk mund të bëjmë diferencime se me kë kemi punuar dhe me kë kemi qenë të përkushtuar më shumë. Për 22 vite unë dhe partia ime jemi përpjekur për partneritet të vërtetë, si me VMRO-n kur kemi qenë në bashkëqeverisje ashtu edhe me LSDM”, u shpreh kryetari i BDI-së Ali Ahmeti. 
 
Ahmeti: jo Rusisë, po Europës!
 
Përveç kësaj, Ahmeti kërkoi që kursi i shtetit dhe synimi i të gjitha partive politike në vend të jetë i drejtuar kah Europa dhe jo kah Rusia. 
 
“Lufta e ftohtë ka mbaruar dhe tani është një luftë shurdhet, po flitet për përdorim të armës bërthamore, nuk është situatë për të nënçmuar. Të gjitha lëvizjet deri në vitet 40 - ta që silleshin si hienat në Evrop me instalim të nazifashizmit, sot qendra ka kaluar në Moskë. Moska ka uzurpuar dhe ka shkelur identitetin, dinjitetin, sovranitetin e një shteti të quajtur Ukrainë. Prndaj ne duhet të jemi të kujdeshëm se çfarë politikash do të drejtojmë. A do të mbetemi në instalimin e atyre ideve që gjithëmon kokën ta mbajmë te Moska dhe stomakun te Evropa? - Jo. Këto dy gjëra bashk nuk shkojnë. Truri dhe stomaku duhet të bëhen bashk sepse i kemi takuar dhe i takojmë Evropës perendimore. Prandaj një zëri këtu, pa dallim përkatësinë dhe ngjyren që i takojmë. Jo Rusisë, Po Europës””, theksoi Ahmeti.
 
Kaevski: Interesi i shtetit në rradhë të parë 
 
Zgjedhjen e Talat Xhaferit si kryeministër teknik e mbështetën deputetët e shumicës parlamentare, ku deputeti i LSDM-së, Darko Kaevski arsyetoi këtë si vendim adekuat, i duhur dhe në interes të qytetarëve dhe të shtetit. U zotuan se nuk do ta lejojnë opozitën maqedonse të njëllos procesin zgjedhor dhe të realizojnë plane destruktive. 
 
“Në interes të qytetarëve dhe të vendit është që procesi zgjedhor të kalojë në frymën dhe kushte demokratike ashtu siç i ngjan një vendi anëtarë të NATO-së e cila është në proces të negociatave për hyrje në BE. Duke e vendosur interesin e shtetit në rradhë të parë, deputetët e LSDM-së, si një parti progresive dhe proevropiane së bashku me deputetët e shumicës do ta mbështes qeverinë teknike në Kuvendin e RMV-së. Nuk do të lejojmë VMRO-DPMNE të hedh njollë mbi procesin zgjedhor dhe fitores së dyfishtë të frontit proevropian, në zgjedhjet Presidenciale dhe parlamentare. Së bashku me shumicën e deputetëve nuk do të lejojmë që të realizohen skenarët destruktive të opozitës”, u shpreh deputeti i LSDM-së, Darko Kaevski. 
 
Aziri: Një standard i ri, që duhet avansuar
 
Deputetët e ASh-së dhe ai Lëvizjes Popullit mbështetën zgjedhjen e kryeministrit Xhaferi, duke thënë se  kryeministri shqiptar është më se i merituar dhe se është sukses i të gjithë deputeteve shqiptarë në vend.  
 
“Vota e ASH-së ishte për Talat Xhaferin si Kryetar i Parlamentit kur ne ishim në opozitë të thellë. Sado që është teknik, apo simbolik ne sot po marrim pjesë në përurimin e një standardi të ri dhe si pjesëmarrës i këtij momenti unë ndjehem i lumtur. Do të dëshiroja do të punoja që të avancohet ky standard pas zgjedhjeve të majit. Një kryeministër politik shqiptar, një President shqiptar, një shef shqiptar i Gjeneral Shtabit të Armatës të një vendi anëtare të NATO-së do të ishte tregues i pjeskurisë qytetare evropiane dhe dëshmi e daljes nga e kaluara ku përkatësia etnike ishte determinant i detyrave shtetërore. Mendojë se nuk do të ketë rrugëdalje tjetër përpos përfilljes së realiteteve. Realiteti shqiptar është prezent në të gjitha segmentet e shoqerisë, si në ekonomi, kultur, ushtri dhe kështu me rradh. Dikush që do të tentojë të anashkalojë këto realitete duhet të aplikojë një sistem despotik për ti shuajtur këto diversitete”, theksoi deputeti i ASh-së, Elmi Aziri.
 
Rexhepi: Po thyhet një tabu
 
“Në RMV po thehet një tabu për vendet e rezervuara për faktin që shqiptar do të qendrojë në krye të Qeverisë së RMV-së. Kjo nuk është përparësi apo sukses ekskluziv i një partie politike, ky është sukses e të gjithë deputetëve që do ta votojnë një Kryeministër i tillë, ky është sukses për faktin që do të kisha dashur edhe deputetë eopozitës maqedonase ta përkrahin sepse do të dëshmojmë se RMV është shtet multietnik, RMV është shtet ku të gjithë kanë të drejtat e barabarëta të garojnë për çdo funksion në këtë shtet dhe RMV mund të rrugëtojë drejtë BE-së vetëm në momentin kur i shohim të barabartë të gjithë përkatësitë etnike që jetojnë në këtë shtet”, u shpreh deputeti i lëvizjes populli Skender Rexhepi.
 
Miloshevski: LSDM u bë vegëz e BDI-së
 
Zgjedhjen e kryeministrit Talat Xhaferi nuk e mbështetën deputetët e opozitës maqedonase. Ata nuk e votuan Xhaferin pasi që e cilësuan këtë akt, si vendim me të cilin populli maqedonas shënderohet në qiraxhinj në shtëpitë e tyre. 
 
“Një dezerter dha dorëheqje, një tjetër do të ulet në kariken e kryeministrit. As ai që u ngrit e as ai që do të ulët në karrikën e  kryeministrit nuk kanë ndjenja të sinqerta ndaj Maqedonisë, prandaj njëjtë si Kovaçevski, kryeministri më i keq që ka pasur ndonjëherë vendi, mos prisni e as nga Talat Xhaferi që të jetë më i mirë dhe të punojë për një shtet të mirë dhe të avancuar të Republikës së Maqedonisë. Të nderuar simpatizues të LSDM-së, partia BDI nuk ka aq deputetë e as numër të mjaftueshëm votash që të zgjedh kryeminisër, por sot Kovaçevski dhe Mariçiq shitën lirë shtëpinë e LSDM-së dhe për karikat e tyre u bënë vegëz e BDI-së. LSDM, Partia Liberale Demokratike dhe Partia e re Socialdemokratike, shërbetorët besnik të BDI-së, për shkak të motiveve të tyre korruptive sot e bën popullin maqedonas qiraxhinj në vendin e tyre”, theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Miloshevski.
 
Trajanov: Nacionalizmi na kthen mbrapa
 
“Kjo që po ndodh në Republikën e Maqedonisë që përkatësia etnike të jetë kryçe për cilindo pozicion apo post  në vend, këto  apsolutikisht nuk janë vlera evropiane e së paku nuk do të na çdojnë në BE. Nëse edhe më tutje e shfrytëzojmë nacionalizmin, triunfalizmin atëherë me të vërtetë zotëri Ahmeti nuk jeni duke drejtuar vendin kah Bashkimin Evropian, por na ktheni mbrapa, në konfliktin e vitit 2001”, u shpreh kryetari i  LD-së, Pavlle Trajanov.  
 
Kërmov: Qasje inferiorie e LSDM-së dhe VMRO-së
 
“Qasja inferiorie e LSDM-së gjatë këtyre 7 viteve të qeverisjes më së miri e demonstron zgjidhjen e deritanishme të Kryetarit të Parlamentit. Gjatë këtyre 7 viteve LSDM gjithmon ka performuar nga një pozicion i dobësisë dhe inferioritet edhe pse çdo herë ka pasur shumicë dhe nën mbrojtjen e tyre edhe sot BDI rrëzon institucionet. Kjo qasje inferiore po shihet edhe sot te VMRO-DPMNE, e cila do të fitojë dy ministra teknik edhe atë me shërbim të drejtëpërdrejt të BDI-së dhe të Talat Xhaferit”, theksoi deputeti i së Majtës, Borisllav Kërmov.
 
Në seancën parlamentare për zgjedhjen e kryeministrit Talat Xhaferi nuk ishin prezent deputetët e bllokut opozitar shqiptar.
 
REXHEP QAMILI