Maqedoni

Gjysmëvjetori i dytë shkollor, mungojnë disa libra të klasës së gjashtë

29.01.2024 14:41

Edhe ne gjysmëvjetorin e dytë shkollor 2023-2024, nxënësit e klasave të 6-ta në Maqedoninë e Veriut...

Edhe ne gjysmëvjetorin e dytë shkollor 2023-2024, nxënësit e klasave të 6-ta në Maqedoninë e Veriut e kanë filluar pa tekste shkollore. Nxënësit e klasës së 6 të shkollës fillore “Adem Jashari” ballafaqohen me mungesë të librave të lëndës së historisë, gjeografisë dhe gjuhës maqedonase. Nxënësit thonë së librin e gjuhës angleze e kanë blerë vetë. 
 
“Ne i kemi librat e gjuhës, shkencës, matematikës dhe atë të anglishtes, që vet e kemi blerë, ndërsa na mungojnë libri i historisë, gjeografisë dhe gjuhës maqedonase. Disa libra i bëjmë kopje dhe tek disa lëndë marrim shënime, por e gjithë ora na kalon duke shënuar. Fletorja e punës e anglishtes që kushton 500 denarë dhe libri 700 denarë, gjithsej 1,200 denarë, vet e kemi blerë.”, - theksoi një nxënës.
 
“Në klasën e 6 na mungon libri i historisë, gjeografisë dhe libri i gjuhës maqedonase. Zakonisht marrim shënime, disa libra i kemi bërë edhe kopje, që na ndihmojnë për të marrë shënime më lehtë.”, - u shpreh një nxënës tjetër.
 
Drejtoresha e shkollës fillore “Adem Jashari”, Fitore Qerezi, thotë se përveç që ka mungese të librave te klasat e 6-ta me konceptin e ri, gjithashtu mungesë të librave ka edhe me koncept të vjetër te klasat e 8-ta dhe të 9-ta. Ajo thotë se në këtë shkollë me 1,000 nxënës nuk kemi kushte që të jenë pjesë e programit te digjitalizimit. 
 
“Por, edhe në klasa tjera me koncept të vjetër ka mungesë të librave. Edhe pse vazhdimisht komisioni i librave në kuadër të shkollës kanë bërë kërkesë duke u bazuar në numrin e nxënësve. Mungojnë libra edhe në klasat tjera, ka që 2 vite që mungojnë librat e gjeografisë, historisë, mungojnë në klasat e 8-ta dhe të 9-ta, por pjesërisht edhe libri i historisë. Të gjitha shkollat i kanë kushtet e njëjta të kyçen në planin apo programin e digjitalizimit. Të jem reale, me një shkollë me 1,000 nxënës nuk kemi tabela smart.”, - deklaroi drejtoresha e shkollës fillore “Adem Jashari”, Fitore Qerezi. 
 
Mësimdhënësit thonë se për të zhvilluar një orë mësimore pa libra, para vetes, e kanë të vështirë. 
 
“Mungesa e librave është pothuajse në të gjitha lëndët. Me këtë planprogramin e ri të klasave të 6-ta, librat e reja kanë një çmim të shtrenjtë dhe për nxënësit është një çmim marramendës. Mungesa e librave ka shkaktuar rrëmujë dhe ka humbur interesimi në këtë lëmi.”, - theksoi një arsimtar. 
 
“Ne përdorim mjete tjera mësimore, atlasin, hartën gjeografike, me disa shënime arrijmë të realizojmë orën mësimore. Për nxënësit është e vështir, sepse gjatë gjithë kohës duhet të marrin shënime. Edhe për ne është vështirë, por këto janë rrethanat, ne duhet ta bëjmë tonën dhe tjetra le t’i ngelet njerëzve kompetent.”, - u shpreh arsimtari i gjeografisë. 
 
Nga Ministria e Arsimit do të ketë doracak pune po në formë elektronike për mësimdhënësit, për t`u shërbyer gjatë kohës që do të mungojnë tekstet shkollore. Ky koncept nuk përputhet me mundësitë dhe kushtet që kanë shkollat, pasi një pjesë e madhe e shkollave nuk kane pajisje teknologjike.
 
REJHANE METAJ