Maqedoni

Çerdhet e Strugës, prindërit në mbështetje të edukatoreve

29.01.2024 14:58

Prindërit në mbështetje të kujdestareve dhe edukatoreve në çerdhet e Strugës...

Prindërit në mbështetje të kujdestareve dhe edukatoreve në çerdhet e Strugës, të cilët me vite punojnë me rrogë prej 10,000 denarë, pa sigurim pensional dhe shëndetësor. Thonë se të gjithë meritojnë kushte dinjitoze pune. 
 
“Jam shumë e kënaqur me edukatoret këtu, prandaj edhe i përkrahi që të kenë rroga më të mira normal dhe sigurim shëndetësor dhe pensional dhe sa më shpejt të rregullohet kjo çështje, sepse me të vërtet jemi edhe ne në situatë shumë të keqe. Shumica e prindërve do të jemi të detyruar të marrim hapa tjera që të gjejmë zgjidhje për këtë.”, - theksoi nëna, Drita Bajrami Kostajçinoska. 
 
“Po, jemi këtu për ta dhënë mbështetjen për edukatoret, të cilat kujdesen maksimalisht për fëmijët tanë dhe është për të ardhur keq që nuk paguhen siç duhet për punën e tyre. Nga ana tjetër, ne shprehim revoltën tonë për komunën dhe për autoritetet që nuk kanë ndërmend ta zgjidhin këtë problem që vazhdon prej vitesh.”, - u shpreh nëna, Ivana Todorovska. 
 
“Sigurisht që jemi të shqetësuar, nuk është problem vetëm për punonjësit e kopshtit, por është problem për çdo prind të çdo fëmije që frekuenton kopshtin, sepse nëse nuk ka kush të kujdeset për fëmijët, ne do të duhet të lëmë punën tonë.”, - theksoi nëna, Maja Mojsova. 
 
Kujdestaret dhe edukatoret që punojnë me kontrata prej vitesh, disa prej më shumë se një dekade, kanë bërë të ditur se nëse nga 1 shkurti nuk marrin një punësim të rregullt ose pagë minimale me sigurime shëndetësore dhe pensionale, nuk do të shkojnë në punë.
 
“Si punonjës nëse nuk kemi zgjidhje, kërkojmë pagë minimale dhe sigurim shëndetësor, në të kundërtën nga 1 shkurti asnjë nga ne me kontrata nuk do të kthehet në punë, plus në çerdhen “Flutura” vetëm 4 kujdestare kanë punësim të rregullt, vetëm me aq nuk mund as të hapet çerdhja.”, - theksoi edukatorja në çerdhe, Daniela Julovska.
 
Mbështetje ka ardhur edhe nga Platforma për Barazi Gjinore, nga ku shprehin shqetësim të fortë. Në çerdhet e Strugës çdo ditë kujdesen mbi 500 fëmijë dhe qyteti do të përballet me një sfidë të madhe nga 1 shkurti, për shkak të mungesës së stafit fëmijët do të duhet të kthehen në shtëpi. 
 
ILMIE ZHAKU