Maqedoni
Qeveria teknike me kryeministër shqiptar, Xhaferi: Qeveria do të qëndrojë në rrugën drejt BE-së
29.01.2024 15:15
Në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut për herë të parë në postin e kryeministrit po ulet një shqiptar....

Në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut për herë të parë në postin e kryeministrit po ulet një shqiptar. Talat Xhaferi edhe zyrtarisht mori postin nga kryeministri i deritanishëm, Dimitar Kovaçevski. Kryeministri, Talat Xhaferi, para mediave tha se do të përmbush obligimin ligjor dhe do të organizojë zgjedhje të drejta dhe demokratike.
Kryeministri i ri teknik tha se Qeveria do të qëndrojë në rrugën drejt BE-së, si dhe se nuk do të pranonte ultimatume nga askush. Kushtetuta dhe ligjet do të jenë baza mbi të cilat ai do të bazojë çdo vendim që do të marrin si Qeveri.
“Detyra primare është përgatitja, organizimi dhe zbatimi i zgjedhjeve të lira dhe demokratike – presidenciale më 24 Prill dhe zgjedhjeve të rregullta parlamentare më 8 maj të vitit 2024 dhe për këtë Qeveria ka një procedurë të drejtpërdrejtë, transparente dhe ligjore dhe në bashkëpunim me Kuvendin, me OSBE-ODIHR, BE-në dhe ShBA-në. Do të zbatoj të gjitha parakushtet ligjore, institucionale dhe operative për zbatimin e vullnetit të qytetarëve, duke synuar mundësimin e standardeve më të larta evropiane që të zhvillohen zgjedhje me legjitimitet të plotë dhe pranim konsensual të vullnetit të qytetarëve.”, - deklaroi kryeministri teknik, Talat Xhaferi.
Kovaçevski: Vetëm të bashkuar i arrijmë qëllimet
Kovaçevski, gjatë dorëzimit të postit, tha se vetëm “të bashkuar mund të marrin rrugën e duhur dhe të arrijnë të gjitha qëllimet, të bazuara në vlera dhe parime.”. Ai i bëri thirrje Qeverisë dhe të gjithëve në të, që pa dallim partiak, të punojnë në interes të qytetarëve.
“Besoj se Qeveria fuqishëm do të jetë e përkushtuar ndaj prioriteteve qytetare dhe shtetërore bazuar në direktivat ligjore. Të gjitha politikat e nisura duhet të zbatohen plotësisht dhe vazhdimisht. Pres përkushtim në punë, përqendrim të të gjithëve në Qeveri dhe në këtë drejtim besoj se puna do të jetë në nivelin më të lartë. I bëj thirrje Qeverisë dhe të gjithëve në të, pavarësisht nga përkatësia partiake, të punojnë në interes të qytetarëve, ekonomisë, sigurisë dhe stabilitetit.”, - theksoi ish-kryeministri, Dimitar Kovaçeski.
Qeveria teknike me mandat 100 ditorë dhe e udhëhequr nga Talat Xhaferi, kaloi në Kuvend me 65 vota pro, 3 kundër dhe asnjë të përmbajtur. Zgjedhjet parlamentare në vend do të mbahen më 8 maj, ndërsa zgjedhjet presidenciale më 24 prill. Ndërsa Qeveria e Xhaferit e ka për detyrë që të përgatisë të njëjtat.
SANIJE DURAKU
