Hulumtim i OJQ-së “Civil”: Zgjedhje jokorrekte dhe shkelje e të drejtave të njeriut

31.03.2015 17:02

E drejta për votim, proceset zgjedhore dhe të drejtat themelore të njeriut kanë qenë fokusi i analizave të Organizatës Joqeveritare “Civil”, që ka realizuar në kuadër të monitorimit të gjendjes shoqëroro-politike të Maqedonisë gjatë tre viteve të fundit...

Në raportin e “Civil”, sipas  Xhabir Derallës, të anketuarit në masë të madhe kanë vlerësuar se zgjedhjet e fundit të realizuara në vitin 2013 dhe 2014 nuk kanë qenë të drejta, ndërsa raporti vëren edhe një përkeqësim serioz në fushën e të drejtave dhe lirive të njeriut.

“Të drejtat e njeriut në Maqedoni në të shumtën e rasteve shkelen nga institucionet shtetërore qendrore dhe ato lokale. Diskriminimi në bazë të përkatësisë politike që nga viti 2013 ndodhet në vendin e parë bazuar nga materialet dhe informatat që organizata jonë i merr. Numër shokues prej 94% e të anketuarve thonë se zgjedhjet në vitin 2013 nuk ishin fer dhe demokratike, ndërsa njëlloj rreth 95.5% e të anketuarve kanë vlerësuar se edhe zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të 2014-ës nuk ishin të drejta”- deklaroi Xhabir Deralla nga Organizata Joqeveritare “Civil”.

Raporti ka konstatuar edhe shkeljen e të drejtave të njeriut edhe në baza etnike. Sipas analizave të “Civil”, të gjitha etnitetet në Maqedoni mbeten të diskriminuara pa marrë parasysh se a janë shumicë apo pakicë në numrin e përgjithshëm.

“Civil” ka hulumtuar edhe gjendjen e mediave në Maqedoni, e cila, sipas raportit të prezantuar, dita-ditës po keqësohet. (Naim Ramadani, TVM2)