Maqedoni
Bisedimet rreth koalicioneve zgjedhore, Kovaçevski: Nuk ka marrëveshje përfundimtare
29.01.2024 15:51
Bisedimet me partnerët e koalicionit për zgjedhjet e ardhshme po zhvillohen në nivel të rregullt...

Bisedimet me partnerët e koalicionit për zgjedhjet e ardhshme po zhvillohen në nivel të rregullt, por deri më tani nuk ka marrëveshje përfundimtare, ka informuar ish-kryeministri, Dimitar Kovaçevski. Ai theksoi se po zhvillohen bisedime, qëllimi i të cilave është krijimi i një koalicioni mes partive politike që ndajnë të njëjtat vlera dhe vizion për vendin, që është Maqedonia e Veriut sa më shpejt të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian.
“Bisedimet me partnerët e koalicionit zhvillohen rregullisht. Deri në këtë moment nuk ka një marrëveshje përfundimtare, gjë që është normale, sepse jemi ende në një fazë ku zgjedhjet nuk janë shpallur. Por ka bisedime, me qëllim që të bëhet një koalicion i partive politike që kanë të njëjtat vlera, dhe kjo është që Maqedonia e Veriut të jetë anëtare e BE-së, në krahasim me partitë e tjera politike që mbrojnë zgjidhje alternative, të cilat as nuk i shpjegojnë.”, - deklaroi kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski.
VMRO: LSDM-ja po lut BDI-në për lista të përbashkëta
Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE, negociatat e LSDM-së për koalicione i sheh si paturpësi dhe tentim për të mbetur me çdo kusht në pushtet.
“Kovaçevski jo vetëm e shiti veten, por edhe Lidhjen Social Demokrate dhe të gjithë deputetët e tyre. Por poshtërimet për Kovaçevskin në dëshirën e tij për pushtet nuk kanë fund. Ai i lutet komandant Forinës dhe Ahmetit që ta mbështesin Stevo Pendarovskin dhe të kenë lista të përbashkëta. Kovaçevski jep gjithçka për pushtet.”, - u shpreh Mile Lefkov nga VMRO-DPMNE.
Përndryshe në kampin politik shqiptar, BDI-ja ka paralajmëruar formimin e një fronti evropian. Opozita shqiptare veç më ka shpallur se do të garojë si koalicion me emrin Lidhja Evropiane për Ndryshim, ndërsa pritet që Aleanca për Shqiptarët të vendosë nëse do të shkojë e vetme në zgjedhje apo do t’i bashkëngjitet njërit për opsioneve.
ERSAN PAJAZITI
