Botë
Sulmohet baza ushtarake e ShBA-së, tre ushtarë amerikanë të vrarë dhe 30 të plagosur
29.01.2024 16:30
Nga sulmet me dronë mbi bazën ushtarake të ShBA-së në kufirin Jordani-Siri...

Nga sulmet me dronë mbi bazën ushtarake të ShBA-së në kufirin Jordani-Siri, humbën jetën tre ushtarë amerikanë dhe u plagosën mbi 30 të tjerë. Presidenti i ShBA-së, Xho Bajden, akuzoi Iranin, se me këto sulme përpiqet të përshkallëzojë situatën në Lindjen e Mesme dhe tha se do t’i përgjigjet ashpër sulmit mbi bazën ushtarake.
“Mbrëmë kaluam një ditë të vështirë në Lindjen e Mesme. Humbën jetën tre ushtarët tanë të guximshëm. Ndaj këtij sulmi, ne do të përgjigjemi ashpër.", - deklaroi presidenti i ShBA-së, Xho Bajden.
Ndërkohë Teherani thotë se nuk ka dorë në këtë sulm, pasi sipas tyre grupet e armatosura rajonale nuk marrin instruksione nga Qeveria e Teheranit.
“Irani nuk e përshëndet përhapjen e konfliktit në të gjithë rajonin dhe nuk ka gisht në marrjen e vendimeve nga ana e grupeve të rezistencës, të cilët kanë dalë në mbrojtje të Palestinës dhe e mbrojnë popullin e tyre nga agresioni luftarak dhe okupimi.”, - theksoi zëdhënësi i MPB-së - Iran, Naser Kanani.
Edhe në Izrael ka pasur sulme me dronë në afërsi të bazës ushtarake. Tel Avivi thotë se nuk ka alternativë tjetër, përpos vazhdimit të ofensivës ushtarake.
“Ndërkohë që kemi njerëzit peng në Rripin e Gazës, nuk kemi të drejtë morale të ndalojmë luftën dhe të mos i mbrojmë pengjet tona. Duhet patjetër të shkojmë deri në fund. Do ta shtojmë presionin dhe do të vazhdojmë me ofensivën.”, - u shpreh ministri i Mbrojtjes – Izrael, Joav Galant.
Ndërkohë shkon duke u rritur në listë numri i shteteve që e kanë ndërprerë financimin e UNRWA-së, Palestina bën thirrje të rishqyrtohen vendimet.
"Komisioni ka përcaktuar qartë se aktualisht nuk ka financim për UNRWA-së të parashikuar deri në shkurt të vitit 2024. Pra, kjo është absolutisht e qartë. Ne kërkojmë që organizata të kryejë hetimin, të cilin e ka shpallur vetë dhe së dyti, ne po kërkojmë që të bien dakord për një auditim që do të kryhet nga ekspertë të pavarur që do të zgjidheshin nga Komisioni.”, - theksoi zëdhënësi i Komisionit të BE-së, Erik Mamer.
"Sulmi izraelit ndaj Kombeve të Bashkuara, veçanërisht UNRWA, është një sulm hakmarrës për shkak të dëshmive dhe deklaratave të lëshuara prej tyre që u përdorën në GJND për të dënuar Izraelin. Bota duhet të fillojë të marrë masa ndëshkuese kundër Izraelit dhe jo kundër një organizate humanitare ndërkombëtare. Ngrirja e ndihmës UNRWA është një ndërprerje e vendimit të GJND-së, që synon rritjen e hyrjes së ndihmave në Rripin e Gazës dhe është sulm ndaj njerëzve të pafajshëm.”, - deklaroi kryeministri i autoritetit palestinez, Mohamad Shtajeh.
UNRWA ka paralajmëruar se do të ketë pasoja të rënda për shërbimet dhe operacionet e saj në rajon, veçanërisht në Gaza, nëse fondet nuk rifillojnë deri në fund të shkurtit. BE-ja ka thënë se po rishikon pagesat për UNRWA dhe pret rezultatin e hetimit të OKB-së për akuzat. BE-ja ka theksuar se vendimi i saj nuk prek ndihmën humanitare për popullatën palestineze.
FARIJE DAUTI BAKIJU
