LSDM, padi penale për parcelat në Vodno
Prokurorisë Publike për Krim të Organizuar dhe Korrupsion iu shtuan edhe disa padi nga LSDM-ja opozitare...

Këtë radhë janë dorëzuar padi penale për kryeministrin, Nikolla Gruevski, ministrin e Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski, kryetarin e Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski dhe persona tjerë që, sipas LSDM-së, janë direkt të involvuar në punë kriminele dhe korruptive në lidhje me parcelat në Vodno. Të paditurit akuzohen për vepër penale “bashkautor në krim”, “larje parash” dhe “keqpërdorim të pozitës zyrtare”.
“Si dëshmi për akuzat penale, përveç publikimit të bisedave të përgjuara, dorëzuam edhe dokumentacion të detajuar. Prokurorët publik janë të detyruar të veprojnë në bazë të kushtetutës dhe ligjit. Ata janë të obliguar si dëshmi në procedurë t’i shfrytëzojnë audio-xhirimet e përgjuara, për të cilat ekziston edhe praktika e Gjykatës Evropiane në Strasburg, e cila është evidentuar tek akuza”- deklaroi Damjan Mançevski nga LSDM.
VMRO-DPMNE reagoi ndaj padive penale nga LSDM-ja opozitare. “LSDM vazhdon me paraqitjet e saj të paargumentuara dhe të papërmbajtura, të bazuara mbi manipulime deri te prokuroria publike, me qëllim që ta defokusojë opinionin nga skenari destruktiv që po e realizon Zoran Zaev. Sot atë detyrë të paradës para kamerave e ka realizuar Damjan Mançevski, njeriu të cilin njerëzit e njohin përmes dy punëve. E para është afera me parkingjet në Kumanovë, ku firma e tij fitoi tenderin rreth 400.000 euro nga bashkëpartiaku i tij dhe kryetar i Kumanovës dhe e dyta se si sukses më të madh të tij ai e llogarit faktin se është dora e djathtë e Radmilla Shekerinskës dhe bërës amin ndaj të gjitha politikave të saj humbëse. Ja me një njeri të këtillë LSDM-ja po tenton që ta manipulojë opinionin”- thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.
