Nedellkova: Pa marrë parasysh “bombat”, qytetarët duhet të kenë besim te gjykatat
Pas përgjimeve të publikuara nga LSDM-ja, të cilat pretendojnë të dëshmojnë se gjykatësit zgjidhen në mënyrë partiake, në listë të caktuar nga pushteti ekzekutiv, kryetarja e Gjykatës Supreme, Lidija Nedellokva, tha se nuk ka njohuri për atë se çka ka ndodhur, por që qytetarët duhet të besojnë në gjykatat e vendit...

“Nuk e kam të njohur këtë që po thoni përveç asaj që edhe unë e dëgjova nga bisedat e publikuara në ueb faqet. Nuk kam njohuri çka ka ndodhur, për këtë mund t’i pyesni ata që e kanë bërë këtë. Secili që propozon kandidat për gjykatës në cilëndo gjykatë fillimisht duhet mirë të jetë i njohur me cilësitë e tij, pasi që me të vërtet nuk është e lejuar të propozosh kandidat i cili nuk i ka cilësitë e caktuara që manifestohen në rezultate”- deklaroi kryetarja e Gjykatës Supreme, Lidija Nedellkova.
Në njërën nga përgjimet e publikuara të opozitës përmendet emri i kryetares së Gjykatës Supreme, ku lobon për zgjedhjen e një gjykatëse që i sjell dhurata, mirëpo Nedellkova tha se nuk e di nëse bëhet fjalë për të dhe se asnjëherë nuk ka pranuar dhurata.
“Nuk kam çka të komentoj këtë bisedë, pasi që unë nuk dëgjova nëse me të vërtet jam unë ajo Lidija, pasi që ka shumë persona me emrin Lidija në gjyqësor. Siç e shihni, më shumë i pëlqej perlat se sa gjërat “Svarovski””- tha kryetarja e Gjykatës Supreme, Lidija Nedellkova.
Nga Shoqata e Gjykatësve thonë se ata mbrojnë interesin e gjykatësve dhe se besojnë në integritetin dhe profesionalizmin e tyre, ndërkaq nuk mund të komentojnë mënyrën e zgjedhjes së tyre.
“Akuzat eventuale për atë se si zgjidhen gjykatësit mendoj se duhet t’i drejtoni në adresë të Këshillit Gjyqësor dhe të pyesni nëse kjo që në njëfarë mënyre në opinion plasohen si gjoja përgjime, biseda autentike apo jo, nuk do të ndërhyj në këtë për atë shkak se për mua çdo përgjim është i ndaluar jashtë asaj që është i lejuar me masat ligjore në procedurë”- theksoi kryetari i Shoqatës së Gjykatësve të Maqedonisë, Nikollço Nikollovski.
Bordi drejtues i Shoqatës së Gjykatësve në shkurt miratoi vendimin që në çdo gjykatë të diskutohet situata aktuale që ka të bëjë me akuzat që u plasuan drejt gjyqësorit.
Me rastin e “Ditës së gjyqësorit” dhe 70 vjetorin e ekzistimit të saj në Maqedoni, është promovuar Kodeksi për Etikë Gjyqësore të Gjykatësve në Maqedoni dhe Përmbledhje të Aktvendimeve Gjyqësore. Njëherit, nga Gjykata Civile në Shkup njoftojnë se në vitin 2014 është dyfishuar numri i lëndëve të zgjidhura, që është mbi 60 mijë në krahasim me vitin 2013 kur numri i tyre ka qenë mbi 38 mijë lëndë të zgjidhura. (Florije Kamberi, TVM2)
