Ligji për Këshillin Gjyqësor kalon në fazë të dytë
Kuvendi miratoi konstatimin se propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Gjyqësor është i pranueshëm dhe mund të jepet në lexim të dytë...

Dyshimet e deputetëve të bashkësive joshumicë se me rritjen e kritereve për anëtarë të Këshillit Gjyqësor mund të rrezikohet përfaqësimi i bashkësive etnike, i sqaroi ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari.
Sipas tij, kushti që kandidati për anëtar në Këshillin Gjyqësor të ketë të paktën 15 vjet përvojë pune nuk i rrezikon bashkësitë etnike. Jashari thotë se në sistemin gjyqësor ka rreth 370 gjykatës shqiptarë që e plotësojnë këtë kusht.
“Vi-za-vi pyetjeve që u parashtruan në Komisionin për Çështje Juridike dhe Komisionin për Sistem Juridik e që ka të bëjë me përvojën e punës, pyetja ishte sa është numri i kandidatëve dhe unë do të jap përgjigje. Numri i kandidatëve që i plotësojnë këto kushte është diku rreth 1100, prej të cilëve diku rreth 370 janë shqiptarë, zotëri Rafis Haliti”- deklaroi ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari.
“Edhe unë kisha dilemat në Komisionin për Sistem Politik se për shkak të konkurrencës, për shkak të rritjes së kritereve dhe cilësisë a do të arrijmë të rekrutojmë në Këshillin Gjyqësor Republikan, apo të kemi një Këshill Gjyqësor me një cilësi më të lartë se deri më tani dhe këto ishin dilemat e mia dhe të kolegëve të tjerë të bashkësive më të vogla etnike në RM-së”- tha Rafis Haliti nga BDI.
Mirëpo, rritja e kritereve për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor nuk duket e mjaftueshme për deputeten e Ripërtëritjes Demokratike të Maqedonisë, Liljana Popovska.
“I bie që çdo i dyti apo i treti gjykatës mund t’i plotësojë kushtet. A janë këto vërtet kritere të larta?! Kujdes, bëhet fjalë për trupin më të lartë në gjyqësor, për Këshillin Gjyqësor, i cili duhet të mundësojë funksionim dhe qasje deri te drejtësia. Mendoj se ky nuk është kriter i lartë, përkundrazi”- theksoi Liljana Popovska nga RDM.
Ligji për Këshillin Gjyqësor dhe Ligji për Prokurorinë Publike janë pjesë e reformave në gjyqësi, të cilat bëhen në harmoni me rekomandimet e Komisionit Evropian. Me ndryshimet ligjore ashpërsohen kriteret për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, rregullohet vlerësimi i gjyqtarëve, ndërsa punësimet në gjyqësor duhet të bëhen me pëlqim nga Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
Foto: telegraf.mk
