Maqedoni

Xhaferi e mbajti seancën konstituive, të pranishëm edhe ministrat e VMRO-DPMNE-së

30.01.2024 15:15

Kryeministri Talat Xhaferi, një ditë pasi mori detyrën nga paraardhësi i tij, Dimitar Kovaçevski...

Kryeministri Talat Xhaferi, një ditë pasi mori detyrën nga paraardhësi i tij, Dimitar Kovaçevski, mbajti seancën konstituive të Qeverisë me përbërjen e re të ekzekutivit. Në seancë ishin të pranishëm edhe ministrat nga VMRO-DPMNE, për Punë të Brendshme, Pançe Toshkovski dhe për Punë dhe Politikë Sociale, Gjoko Velkovski. Xhaferi përsëriti se obligim kryesor i Qeverisë teknike është organizimi i procesit zgjedhor, ku qytetarët do të shprehin lirshëm vullnetin e tyre zgjedhor. Po ashtu ai pret që të gjithë anëtarët e Qeverisë të punojnë me përkushtim në interes të qytetarëve.
 
“Para nesh është një detyrë kyçe, përgatitja dhe organizimi i zgjedhjeve të drejta dhe demokratike në një procedurë të drejtpërdrejt të hapur dhe ligjore. Në detyrën tonë ne kemi për obligim të punojmë me Kuvendin dhe KShZ-në, si dhe me misionin OSBE-ODIHR, por edhe BE-ja dhe përfaqësues të ShBA-së këtu në Maqedoninë e Veriut. Me qëllim që të sigurojmë standard më të lart evropian në procesin e fushatës zgjedhore dhe vetë zgjedhjet me fokus të plot në krijimin e kushteve të cilët qytetarët do ta shprehin qartë vullnetin  e tyre në zgjedhje.”, - deklaroi kryeministri teknik, Talat Xhaferi. 
 
VMRO-DPMNE: LSD-ja është pakicë në qeverinë e vet
 
Ndërkohë VMRO-DPMNE-ja as sot nuk e ka kursyer nga akuzat LSDM-në. Sipas tyre, derisa BDI-ja dhe Xhaferi  janë në pushtet, LSDM-ja në qeverinë e vet është partner pakicë me vetëm 5 ministra. 
 
“Kovaçevski e shiti LSDM-në. Për një ditë më shumë pushtet i shërben BDI-së. Talat Xhaferi nuk do të ishte kryeministër pa votat e LSD-së. Për të sunduar edhe një ditë, Kovaçevski ia dorëzoi pushtetin Xhaferi. LSD-ja po e shkatërron Maqedoninë, ne nuk kemi më shtet. Kovaçevski është njeriu që në mbrëmjen e 8 majit do të duhet të vendosë çelësin e derës në LSD.”, - theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Dragan Kovaçki.
 
LSDM: DPMNE-ja hyri në Qeveri me BDI-në
 
Ndërsa socialdemokratët, në një komunikatë me shkrim thonë se Mickoski as vet nuk e din se çfarë do dhe ku shkon. 
 
“DPMNE-ja propozoi ministra për Qeverinë teknike dhe nuk i votuan në Kuvendin e Maqedonisë, d.m.th. i bojkotuan, ulen në Qeverinë teknike dhe bëjnë sikur nuk janë pjesë e saj, Mickoski nuk ka asnjë qëndrim, as kapacitet politik të bëjë ndonjë vendim dhe definitivisht nuk e di se ku po shkon.”, thuhet në reagimin me shkrim të LSDM-së.  


SANIJE DURAKU