Maqedoni

Klinika Infektive në Shkup, gripi i merr jetën 20-vjeçares

30.01.2024 15:30

Një vajzë 20-vjeçare ka ndërruar jetë nga gripi, konfirmojnë nga Klinika Infektive në Shkup, e cila paraqet vdekjen e 7...

Një vajzë 20-vjeçare ka ndërruar jetë nga gripi, konfirmojnë nga Klinika Infektive në Shkup, e cila paraqet vdekjen e 7, si pasojë e gripit këtë sezon. Vajza ishte transferuar nga Klinika e Hematologjisë dhe nuk ishte e vaksinuar. Pas vdekjes së 20-vjeçares pasoi edhe ndërrimi i drejtorëve në Klinikën Infektive, të cilën do ta drejtojë Fadil Cana. 
 
Gjatë janarit  të  këtij viti, vdekja e 20-vjeçares është rasti i dytë që përfundon me fatalitet, pasi më herët edhe një person 45-vjeçar nga Negotina, i cili ishte shtruar në Klinikën për Sëmundje Infektive, kishte ndërruar jetë. Sipas autoriteteve shëndetësore, prezenca e influencës A(H1) është vërtetuar në pesë nga personat e vdekur dhe një person ka rezultuar pozitiv me Kovid-19.  Ndërkohë numri i të sëmurëve me grip është në rritje, thonë mjekët. Në ambulanca, gjithnjë e më shumë pacientë po kërkojnë ndihmë mjekësore për infeksione respiratore dhe virale. Në disa qytete ka edhe pacientë të hospitalizuar. Mjekët thonë se gripi e përkeqëson më shumë gjendjen shëndetësore tek pacientët me sëmundje shoqëruese.
 
“Edhe pse kemi pacientë të rinj dhe më të moshuar, megjithatë në bazë të të dhënave, të gjitha rastet ishin me sëmundje shoqëruese, si me sëmundje kronike, diabet apo me obezitet etj. Të gjithë nga këta pacientë, të cilët fatkeqësisht kanë përfunduar me fatalitet, nuk kishin pranuar vaksinë kundër gripit sezonal. Duhet të theksoj se nuk bëhet fjalë vetëm për gripin sezonal, sepse aktualisht kemi edhe qarkullim të virusit të llojit A më shumë sipas mostrave nga IShP. Po ashtu kemi qarkullim edhe të Kovid-19 me llojin omikron që dominon më shumë, si dhe qarkullim të virusit respirator sincicial.”, - deklaroi epidemiologu, Sashko Ollumçev.
 
Sipas të dhënave nga IShP-ja, çdo javë nga një mijë pacientë të rinj kërkojnë ndihmë mjekësore, pasi janë prekur nga gripi. Sipas epidemiologëve, piku i të sëmurëve  pritet të jetë pas dy javëve, ndërsa në mars do të ulet numri i të sëmurëve. Nga KSI-ja apelojnë pacientët me komorbiditete të vaksinohen kundër gripit sezonal.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI