Maqedoni
Kompletimi i KShZ-së, LEN-i në koordinim me Mitreskin, paralajmëron padi kundër Georgievskës
30.01.2024 16:08
Opozita shqiptare në koordinim tek kryeparlamentari, Jovan Mitreski....

Opozita shqiptare në koordinim tek kryeparlamentari, Jovan Mitreski. Temë kyçe e takimit është moszgjedhja e anëtarit të KShZ-së, I cili sipas opozitës u takon atyre e jo partisë demokratike evropiane të Arjanit Hoxhës, të cilët janë pjesë e shumicës parlamentare. Opozita ka kërkuar nga Mitreski të zhbllokojë punën e Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime, por Mitreski nuk ka dhënë zgjidhje konkrete për këtë çështje, thotë deputeti Fadil Zendeli. Ai nuk përjashton mundësinë e shqyrtimit të padisë ndaj kryetares së Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime, Marija Georgievska.
“Si kryetar i ri ka mundësi të dëshmoj vetveten që nuk do ta ndjek rrugën që e ndiqte ish-kryetari i Kuvendit, i cili haptazi në kundërshtim me ligjin dhe rregulloren e Kuvendit e bllokonte procesin e zgjedhjes së anëtarit të KShZ-së. Jemi në kontakt edhe me zyrat avokative në Shkup, që të ngremë edhe një padi penale ndaj kryetares së Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime, nëse brenda ditëve në vijim ajo nuk e zhbllokon punën e Komisionit dhe nuk lejon që kandidati që është ligjor, kandidati i opozitës shqiptare, z. Abdush Demiri të kalojë.”, - deklaroi Fadil Zendeli nga LEN-i.
ASh: LEN-i mund të kërkojë vendin e LSDM-së
Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se vendi në KShZ u takon atyre dhe opozita mund të kërkojë nga kryeparlamentari Mitreski vetëm një anëtarë që i takon LSDM-së nga gjithsej tre.
“Zgjedhjet janë parametër, të cilat përcaktojnë anëtarin, për shkak se ASh-ja pas zgjedhjeve ngel në pozitën e opozitës dhe e fitoi të drejtën e anëtarit dhe kjo e drejtë i takon edhe ta vazhdojë. Këto duan ta përshtatin ligjin ashtu siç duan këto, që do të thotë PDE-ja është opozitë dhe ta mbështetë është gjithçka ligjore dhe e mbështetur në rregullore.”, - theksoi deputeti i ASh-së, Adnan Neziri.
Nga ASh-ja thonë në rast se nuk arrihen 80 votat e nevojshme, KShZ-ja do të funksionojë pa një anëtar. Ndërkohë Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime, sot debatoi që Ana Pavllovska Daneva të jetë anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Ky propozim i LSDM-së është kundërshtuar nga opozita VMRO - DPMNE me pretendimet se Daneva ka qenë anëtare partiake e LSDM-së.
MERAL ISMAILI
