Maqedoni

Xhaferi-Gir: RMV-ja mbetet e përkushtuar në rrugën evropiane

30.01.2024 16:55

Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, sot ka pritur në takim ambasadorin e Bashkimit Evropian...

Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, sot ka pritur në takim ambasadorin e Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Dejvid Gir. Në takim, ambasadori Gir ka ritheksuar mbështetjen e BE-së dhe Delegacionit në Shkup në vazhdimin e bashkëpunimit dhe mbështetjen e institucioneve në realizimin e agjendës evropiane të shtetit, me theks të veçantë në organizimin dhe zbatimin e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në mënyrë korrekte dhe demokratike.
 
Ndërkohë kryeministri Xhaferi ka nënvizuar se takimi i tij i parë është pikërisht me ambasadorin e BE-së në Maqedoninë e Veriut, që paraqet shenjë të qartë për kahun e lëvizjes së Qeverisë në periudhën e ardhshme. Kryeministri ka theksuar se zgjedhjet e ardhshme janë të një rëndësie të jashtëzakonshme për të ardhmen e vendit, sepse ato do të përcaktojnë rrjedhën e lëvizjes dhe progresit në periudhën e ardhshme. Kryeministri theksoi edhe se Qeveria do të vazhdojë me të njëjtën dinamikë, përkushtim dhe në kohë t’i zbatojë të gjitha proceset dhe detyrimet që dalin nga negociatat e nisura të aderimit me Bashkimin Evropian në drejtim të integrimit të përshpejtuar evropian.