Botë
Rripi i Gazës, Izraeli vazhdon pa ndërprerë me sulme
30.01.2024 17:17
Ushtria izraelite njoftoi se ka vrarë tre anëtarë të Hamasit në një spital të Bregut Perëndimor...

Ushtria izraelite njoftoi se ka vrarë tre anëtarë të Hamasit në një spital të Bregut Perëndimor. Ata dyshohen për planifikimin e sulmeve të mëdha terroriste. Tel Avivi lëshoi një urdhër të ri evakuimi për pjesën perëndimore të qytetit të Gazës.
"Me fillimin e sulmit në Kan Junis, ne hapëm korridoret humanitare për të lejuar banorët të largohen nga zona e betejës dhe të parandalojmë Hamasin që t'i përdorë ata si mburoja njerëzore. Edhe pse Hamasi po përpiqet të parandalojë largimin e banorëve, mbi 100,000 tashmë janë evakuuar përkohësisht vetëm nga pjesa perëndimore.”, - deklaroi zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes izraelite, Daniel Hagari.
Forcat izraelite arrestuan dhjetëra palestinezë nga një strehë të UNRVA. Pas akuzave se punonjës të Agjencisë Palestineze të Refugjatëve ishin përfshirë në një sulm ndaj Izraelit më 7 tetor, OKB-ja thotë se çdo punonjës i përfshirë në akte terrori do të mbajë përgjegjësi.
“Sekretari i Përgjithshëm është personalisht i tmerruar nga akuzat kundër punonjësve të UNRVA-së. Por, mesazhi i tij për donatorët, veçanërisht ata që kanë ndërprerë kontributin, është që të paktën të garantojnë vazhdimësinë e operacioneve, sepse ne kemi dhjetëra mijëra njerëz të përkushtuar që punojnë në të gjithë rajonin. Nevojat e mëdha të popullatës së dëshpëruar që u shërbejnë duhet të plotësohen.”, - theksoi zëdhënësi i sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Stefan Dujarriq.
Uashingtoni tha se këto akuza duhet të hetohen. Ndërkohë, është raportuar se zyrtarë nga Izraeli, Shtetet e Bashkuara, Egjipti dhe Katari kanë rënë dakord për një kornizë të negociuar për marrëveshje pengjesh midis Izraelit dhe Hamasit. Një zyrtar i lartë i grupit terrorist tha se kushti i vetëm është një armëpushim i plotë në Gaza.
“Agjencia e Kombeve të Bashkuara për ndihmën dhe punën për refugjatët palestinezë në Lindjen e Afërt ka luajtur dhe vazhdon të luajë një rol absolutisht të domosdoshëm në përpjekjen për të siguruar që burrat, gratë dhe fëmijët që kanë kaq shumë nevojë për ndihmë në Gazë, ta marrin atë. Dhe askush tjetër nuk mund të luajë rolin që luajti UNRVA.”, - u shpreh sekretari amerikan i shtetit, Antoni Blinken.
Tensioni po rritet edhe në kufirin me Libanin. Nga Ministria e Mbrojtjes izraelite thonë se së shpejti do të nisin një operacion madhor në veri të vendit, ku çdo ditë shkëmbehet zjarr me Lëvizjen Shiite Hezbollah.
FITORE DEMOLLI
