Botë

Osmani: Vendimi për dinarin, në dy ditët e ardhshme

31.01.2024 14:00

Në dy ditët e ardhshme pritet dakordim për çështjen e përdorimit të dinarit në Republikën e Kosovës.....

Në dy ditët e ardhshme pritet dakordim për çështjen e përdorimit të dinarit në Republikën e Kosovës. Kështu ka paralajmëruar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke komentuar vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës, i cili parasheh që nga një shkurti të ndalohet përdorimi i dinarit serb në Kosovë. Osmani tha se është pro zbatimit të plotë të këtij vendimi, por shprehu gatishmëri që të merren parasysh qëndrimet e vendeve aleate, si ShBA-ja dhe vendet e Kuintit, për shtyrjen e afatit.  
 
“Janë duke u diskutuar një sërë opsionesh, të cilat në njërën anë do ta respektonin nenin 11 të Kushtetutës, por në anën tjetër do të lënë një kohë për informimin e qytetarëve dhe bartjen e tyre, të themi, në llogari të reja, e të tjera, në mënyrë që të mund të zbatohet pa asnjë problem dhe me përkrahjen e plotë të shteteve aleate, sepse siç e dini për secilën çështje që ka të bëjë me veriun e Kosovës, me shtrirjen e sovranitetit dhe me sigurinë e shtetit tonë, ne sa herë i kemi aleatët tanë në krah, atëherë tejkalohen këto sfida dhe realizohet mbrojtja e Kushtetutës sonë në tërësi. Një shembull i tillë është çështja e targave. Aleatët ndërkombëtarë patën kërkuar të shtyhet vendimi. Dhe siç po e shihni sot, gati të gjithë qytetarët që jetojnë në veri kanë transferuar targat e tyre në targa të Republikës së Kosovës.”, - deklaroi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
 
Për shtyrjen e afatit ka shprehur gatishmëri të diskutohet edhe Bashkim Nurboja, kryetar i Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës, por ai ka përjashtuar mundësinë e pezullimit të vendimit. Nurboja njëherit ka sqaruar, se sipas vendimit, blerjet në Kosovë duhet të bëhen vetëm me valutën euro, ndërsa valutat tjera, mund të këmbehen në këmbimore. Komuniteti ndërkombëtar, ka kërkuar nga Kosova që të shtyjë zbatimin e vendimit, pasi ai është kundërshtuar nga serbët në Kosovë, por edhe nga Beogradi zyrtarë. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka mbajtur takim urgjent me disa ministra të Qeverisë së Serbisë, përfshirë kryeministren, Ana Bërnabiq, ku është diskutuar për hapat e ardhshëm që do t’i ndërmarrë Beogradi lidhur me çështjen e largimit të dinarit si mjet pagues në Kosovë.
 
GYLTENE SINANI