Maqedoni
Gjykata Kushtetuese, Komisioni Parlamentar, dritë jeshile Danevës, nominimi i Danevës përplas deputetët
31.01.2024 14:36
Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime verifikoi propozimin që profesoresha Ana Pavllovska Daneva..

Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime verifikoi propozimin që profesoresha Ana Pavllovska Daneva të jetë gjykatëse në kushtetuese. Deputetët e VMRO-së, të cilët u shprehën kundër, nominimin e saj e cilësuan si partiak duke u nisur nga bekgraundi politik në LSDM. Kritika edhe për biografinë profesionale, duke e cilësuar si të vakët.
“Eksperte e drejtësisë, profesoreshë universitare, e cila ka ambicie që të bëhet gjykatëse në kushtetuese, gjatë viteve të kaluara ka mbetur në statuse të fejsbukut duke shkruar ndonjë kritikë kundrejt ndonjë qeverie, por në asnjë moment nuk iu bashkëngjit popullit në betejën për rrëzimin e zaevizmit.”, - deklaroi deputetja e VMRO-DPMNE-së, Marija Petrushevska.
Deputetët e LSDM-së konsideruan se qasja e VMRO-së ndaj nominimit të Danevës është jo konstruktiv. Socialdemokratët vlerësojnë kapacitetet profesionale në shtet, por edhe jashtë. Gjithashtu e konsiderojnë normale të qenit pjesë e partisë.
“Nuk ekziston ndonjë person i papërcaktuar politikisht. Kjo që moti është thënë se çdo qenie e vetëdijshme njerëzore është i përcaktuar politikisht dhe kjo nuk është mëkat. Mëkat është diçka tjetër dhe ju këtë shumë mirë e dini. Megjithatë, sërish do të them se kur nuk kemi çfarë të themi diçka esenciale, atëherë vijojmë me kualifikime të tilla, do të thoja diskualifikime.”, - theksoi deputetja e LSDM-së, Snezhana Kaleska Vançeva.
Nominimi i Danevës në vijim do të kalojë në seancë plenare për ta votuar. Daneva ka qenë nënkryetare e LSDM-së, si dhe deputete gjatë mandatit 2011-2014, ndërkohë që me emërimin e saj kompletohet Gjykata Kushtetuese prej 9 anëtarëve. Kandidatura e Danevës vijoi pas tërheqjes së kandidaturës së ish-prokurorit publik, Lubomir Jovevski, edhe përkundër debatit më gjatë se një vit për të. Kushtetuesja një kohë të gjatë punon e pakompletuar, pasi procedura për zgjedhjen e anëtarëve të ri ngeci në Kuvend.
MERAL ISMAILI
