Maqedoni
Skandali në Klinikën e Onkologjisë dhe Radioterapisë, pesë të dyshuar, dy ish-drejtorë kryen mashtrim
31.01.2024 14:54
Prokuroria Themelore Publik ka hapur hetim lidhur me rastin e skandalit në Klinikën për Onkologji dhe Radioterapi...

Prokuroria Themelore Publik ka hapur hetim lidhur me rastin e skandalit në Klinikën për Onkologji dhe Radioterapi, ku të dyshuar janë 5 persona. Ish-drejtori i klinikës, Nino Vasev, drejtori teknik, Nehat Nuhi dhe 3 mjekë onkologë. Për dy të dyshuarit e parë, Prokuroria ka kërkuar të shqiptohen masa të kujdesit, ndërsa 3 onkologët kthehen në punë.
Ish-drejtori NinoVasev dyshohet se ka kryer shtatë vepra penale keqpërdorim të detyrës dhe autorizimeve zyrtare, si dhe për veprën penale mashtrim në shërbim për të cilën dyshohet edhe drejtori teknik, Nehat Nuhi, ndërsa tre onkologët e përfshirë në këtë rast dyshohen se kanë ndihmuar veprën penale. Dënimi me burg i paraparë për këto vepra penale është prej 3 deri më 20 vite heqje lirie. Nga Prokuroria nuk përjashtojnë mundësinë që hetimi të zgjerohet.
“Bëhet fjalë për vepër penale mashtrim në shërbim. Kjo vepër penale është për dy drejtorët, drejtorin organizativ dhe mjekësor, ndërsa për tre mjekët onkolog është ndihmë në kryerjen e veprës penale mashtrim në shërbim. Për ish-drejtorin kemi edhe shtatë vepra penale për keqpërdorim të detyrës dhe autorizimeve zyrtare.”, - deklaroi prokurorja publike, Ana Gogovska Jakimovska.
Sipas Prokurorisë, të dyshuarit kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për furnizime publike duke porositur terapi më shumë nga ajo që ka qenë e nevojshme mbi buxhetin e paraparë, pa shpallje publike dhe pa lejen e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Fondit Shëndetësor. Prokuroria sqaron se të dyshuarit kanë vepruar në kundërshtim me protokollin e paraparë dhe rekomandimet reale për terapi, duke u shënuar pacientëve më shumë terapi nga ajo e paraparë, duke iu shënuar terapi edhe pacientëve një ditë para vdekjes. Deri në këto momente Prokuroria nuk ka arritur të dëshmojë se ndonjë pacient nuk e ka marrë terapinë e shënuar apo që ka marrë më pak nga ajo që ka qenë e paraparë. Procesuimin e rastit e mbështet ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti.
“Unë disa herë para jush në publik, para gazetarëve, kam thënë se ky rast duhet të zgjidhet dhe i kam bërë thirrje Prokurorisë. Ndoshta ka qenë presion, por ky nuk është presion, unë jam i pari i Shëndetësisë dhe normal sikurse edhe rastet tjera që kam dashur t’i pastroj, këto probleme që nuk janë zgjidh, proceset gjyqësore në shëndetësi.”, - theksoi ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti.
Sipas të dhënave momentale të Prokurorisë, përfitimet pronësore me keqpërdorimet e terapisë biologjike janë rreth 30 milionë euro. Hetimet e bëra deri më tani nuk kanë dëshmuar se ku ka përfunduar terapia biologjike, e cila dyshohet të jetë keqpërdorur. Nuk ka dëshmi se kanë përfunduar në Kosovë, ndërsa nga Shqipëria presin akoma përgjigje.
FLORIJE KAMBERI
