Bisedimet në Bruksel, analistët: Vazhdimi i dialogut sinjal pozitiv, përfshirja e BDI-së e patjetërsueshme

31.03.2015 18:56

Sinjali i vetëm pozitiv nga takimi i djeshëm në Bruksel midis treshes së VMRO-së dhe LSDM-së është angazhimi i tyre për vazhdimin e dialogut, kështu vlerësojnë kritikët politik të vendit...

Profesori universitar, Nano Ruzhin, druan se këto bisedime nuk do të përmbyllen para vjeshtës, si pasojë e qëndrimeve të ndara. I të njëjtit mendim është edhe njohësi i çështjeve politike, Selim Ibrahimi. Theks të veçantë të dy analistët i japin kyçjes së BDI-së në këtë proces, pasi, sipas tyre, ngërçi politik nuk është konflikt ideologjik midis VMRO-së dhe LSDM-së, por në pyetje është demokratizimi i shtetit.

“Dalja nga kjo krizë nuk është e mundur pa pjesëmarrjen e BDI-së. BDI duhet të hyjë në këto bisedime. BDI nuk duhet t’i lejojë vetes që të shkojë kundër përcaktimeve ideologjike dhe doktrinare. Ata duhet t’i thonë stop VMRO-së. Në aspektin politik nuk duhet të jetë bashkëpunëtor i prishjes së demokracisë në Maqedoni”- deklaroi analisti politik, Nano Ruzhin.

“Në rast se LSDM-ja mendon që të hapë shumë çështje me rastin e përgjimeve, atëherë këtu duhet të inkuadrohen edhe partitë politike shqiptare, si faktorë kryesorë në skenën politike të Maqedonisë. Pa pjesëmarrjen e partive politike shqiptare çdo marrëveshje do të jetë e destinuar të dështojë në teren. Partitë politike shqiptare duhet të mendojnë për një ekip special në këto negociata”- tha analisti politik, Selim Ibrahimi.

Ibrahimi konsideron që e nevojshme është edhe kyçja e SHBA-ve në këtë proces, me qëllim që marrëveshja e arritur të jetë e realizueshme në praktikë. Ndërsa për Nano Ruzhin e rëndësishme në këtë periudhë të negocimit është që Gruevski të ndërpresë shfrytëzimin e parave të popullit.

“Do të duhet të vendoset një lloj moratoriumi mbi paratë e popullit, pasi që në këtë moment Gruevski, duke humbur kredibilitetin, nuk mund që t’i lejojë vetes që të premtojë gjithandej punësime të reja, rritje të rrogave. Me paratë e popullit dhe me paratë me të cilat e fut në borxhe shtetin me të vetmin qëllim, që ta blejë paqen dhe ta blejë pushtetin, këtë nuk duhet ta bëjë në këtë moment, pasi që po zhvillohen bisedime serioze për të ardhmen e shtetit”- theksoi analisti politik, Nano Ruzhin.

Vazhdimi i bisedimeve do të fillojë pas festës së “Pashkëve” në Bruksel, ndërsa me përpilimin e agjendës pritet edhe përfshirja e BDI-së në këto bisedime në fazën e dytë.

Dje përfaqësuesit e VMRO-së dhe LSDM-së në Bruksel kishin qëndrime të kundërta mbi formimin e qeverisë teknike, dorëheqjen e prokurorit publik, si dhe kthimin e LSDM-së në kuvend. (Meral Ismaili, TVM2)