Maqedoni

Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit: Autoritetet nuk bashkëpunojnë për rastet

31.01.2024 16:02

Vështirësitë në zbardhjen e rasteve të korrupsionit në shtet vijnë si rezultat i mungesës së bashkëpunimit me autoritetet...

Vështirësitë në zbardhjen e rasteve të korrupsionit në shtet vijnë si rezultat i mungesës së bashkëpunimit me autoritetet, thotë kryetarja e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Biljana Ivanovska, para përfundimit të mandatit pesëvjeçar të kësaj përbërjeje. KShPK-ja ka ndërmarrë 56 iniciativa për ngritjen e kallëzimeve penale, por  asnjëra nuk është iniciuar. Korrupsioni, sipas saj, vazhdon për shkak se autorët e veprave penale nuk dënohen.
 
“Nuk kemi faj që askush nuk vepron. A e sjellë një lule pranverën? Jo, duhet të veprojnë edhe autoritetet e tjera, ndjekja e korrupsionit nuk mjafton që ne dhe Revizioni shtetëror të veprojmë. Nuk mund të marrim përgjegjësi për të gjithë, secili duhet të pastrojë oborrin e tij. Këtu, për shembull, kemi bërë iniciativa të ndjekjes penale për kryetarin e Komunës së Strugës, Ramiz Merko dhe biznesmenin Koço Angjushev, por lëndët na janë kthyer. Disa muaj më vonë, të dy u futën në listën e zezë nga ShBA-ja. Kjo do të thotë se puna dhe dyshimet tona kanë qenë të drejta.”, - deklaroi kryetarja e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Biljana Ivanovska. 
 
Shumica e padive që KShPK-ja ka dorëzuar në Prokurorinë Publike kanë ngecur dhe rastet e hapura nga KShPK-ja shpeshherë janë bërë objekt i përplasjeve me gjyqësorin dhe institucionet shtetërore. 
 
“Nga iniciativat e ndjekjes penale, që i kemi parashtruar në Prokurorinë Publike dhe i kemi dorëzuar, deri tani nuk ka asnjë vendim për procesuimin dhe hetimin e mëtutjeshëm të këtyre rasteve, pra nuk arrijnë deri në gjykatë. Pengesa të tilla nuk kemi vetëm nga kjo përbërje, por ky institucion nga viti 2002 e këtej ,vepron në këtë mënyrë. Mbi 200 iniciativa për ndjekje penale, janë bllokuar gjatë këtyre 20 vitesh. Që kur ekziston institucioni nuk është zbardhur asnjë rast.”, - theksoi kryetarja e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Biljana Ivanovska. 
 
Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit më 5 shkurt do ta publikojë listën e institucioneve dhe funksionarëve, të cilët kanë paguar gjoba vetëm mos të japin listë anketuese ose dokumente që u ka kërkuar Antikorrupsioni. Në pesë vitet e fundit, kjo përbërje e Komisionit kundër Korrupsionit ka hapur 5,283 çështje, nga të cilat 2,872 në fushën e korrupsionit, 888 në fushën e konfliktit të interesit, 144 në fushën e ndalimeve gjatë procesit zgjedhor dhe 1,379 lidhur me kontrollin e gjendjes pasurore. Janë dhënë 898 urdhërpagesa për shkelje të ligjit dhe janë arkëtuar në buxhetin e shtetit rreth 8 milionë euro gjoba. Mandati i kësaj përbërjeje të KShPK-së përfundon më 8 shkurt. 
 
FARIJE DAUTI BAKIJU