Maqedoni
Tetovë, përplasje rreth drejtimit të Myftinisë
31.01.2024 17:07
Vazhdon përplasja në Myftininë e Tetovës për atë se kush ka të drejtë të udhëheqë me këtë institucion fetar....

Vazhdon përplasja në Myftininë e Tetovës për atë se kush ka të drejtë të udhëheqë me këtë institucion fetar. Selver Xhemaili, ushtrues detyre myfti i Tetovës, ka paraqitur në SPB-Tetovë, se nuk është lejuar të ushtrojë detyrën e myftiut në zyrat e Myftinisë së Tetovës nga persona që sipas tij nuk janë të punësuar në Myftininë e Tetovës. Nga SPB-Tetovë e konfirmojnë rastin.
“Në ora 07:30 në SPB-Tetovë, S.Xh. (52) nga Tetova ka raportuar se G.S. dhe Sh.Sh. i kanë mbyllur dyert e objektit të BFI-së në Tetovë dhe e kanë penguar të veprojë si u.d.Myfti, që të hynte dhe të kryente detyrat e punës, edhe pse kishte një vendim nga Bashkësia Fetare Islame të hartuar më 8 nëntor të vitit 2023.”, - thuhet në komunikatën e SPB-Tetovë.
Nga BFI-ja kanë njoftuar se Myftiu, Qani Nesimi, është shkarkuar më 9 nëntor të vitit 2023 dhe sipas tyre duhet larguar nga detyra myftiu i Tetovës.
“Më datën 9 nëntor të vitit 2023, Qani Nesimi shkarkohet nga detyra Myfti i Myftinisë së Tetovës me vendim unanim të Rijasetit dhe më pastaj është tërhequr muraselja dhe me këto vendime humb legjitimitetin e Myftiut dhe duhet t'i lëshojë zyrat e Myftinisë, njëherit prej atij momenti nuk ka të drejtë të përdorë vulat e Myftinisë, e as paraqitja e tij si Myfti. Përdorimi i vulave dhe paraqitja si Myfti janë vepra penale.”, - thuhet në komunikatën e BFI-së.
Të gjitha këto akuza i hedh poshtë Myftinia e Tetovës. Sipas tyre, shkarkimi i Myftiut, Qani Nesimi, është antiligjor dhe kundër Kushtetutës së BFI-së. Ata thonë se zyrat e Myftinisë së Tetovës kanë qenë të mbyllura, për shkak të pastrimit gjeneral. Ndërkohë kuvendi i Myftinisë së Tetovës është kundër shkarkimit të Myftiut, Qani Nesimi, pasi kreu i BFI-së nuk ka marrë mendimin e tyre për të vendosur për shkarkim ose emërim të një u.d Myfti, por siç thuhet ka vendosur në mënyrë arbitrare pa pyetur kuvendin e Tetovës.
VISAR SADIKI
