Botë
Konflikti izraelito-palestinez, Izraeli përjashton tërheqjen ushtarake
31.01.2024 17:30
Derisa vazhdojnë përpjekjet për të ndërmjetësuar ndërprerjen e luftimeve mes Izraelit dhe Hamasit...

Derisa vazhdojnë përpjekjet për të ndërmjetësuar ndërprerjen e luftimeve mes Izraelit dhe Hamasit, kryeministri izraelit, Netanjahu, nuk heq dorë nga një fitore e plotë duke hedhur poshtë pretendimet për një tërheqje ushtarake, siç kërkohet nga Hamasi. Mundësia e zgjidhjes politike po shteret, thonë autoritetet në Tel Aviv.
"Do të vijë një fazë kur durimi do të mbarojë dhe si rezultat mund të përfundojmë me veprime të dhunshme.", - deklaroi ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Joav Galant.
Operacionet aktuale vazhdojnë. Në terren situata është e vështirë si për luftëtarët, ashtu edhe për të shpërngulurit. Reshjet e dendura të shiut po përkeqësojnë më tej krizën tashmë të rëndë humanitare.
"Nuk ka batanije apo rroba. Shiu na ka mbytur, nuk thahemi dot. Kjo është një luftë që do të na shkatërrojë.”, - u shpreh një qytetare.
“Kushtet e motit janë të vështira. Të gjitha shtëpitë tona janë prej plastike dhe tenda. Ata nuk mund ta përballojnë këtë stuhi.”, - u shpreh një qytetar.
Shefi i OKB-së, Guterres, u takua me donatorët e UNRWA-s pasi një numër vendesh kufizuan fondet. ShBA-ja shpreson për një zgjidhje të shpejtë.
“Nuk ka asnjë lojtar tjetër humanitar në Gazë që mund të sigurojë ushqim, ujë dhe ilaçe në shkallën që ofron UNRWA. Ne duam që puna të vazhdojë dhe kjo është arsyeja pse është e rëndësishme që OKB-ja të hetojë seriozisht rastin dhe t'i mbajë të gjithë përgjegjës.”, - theksoi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Met Miller.
Këshilli i Sigurimit dëshiron qasje më të mirë në furnizimet në Gazë, por beson se një mekanizëm për të monitoruar dërgimin e ndihmave për civilët është i pamundur pa një armëpushim.
"Nëse mekanizmi është i vendosur, do ta bënte më të lehtë të dihet se çfarë po vjen, për kë është dhe nëse ka arritur në të vërtetë për popullsinë civile. Por për momentin, duke pasur parasysh faktin se nuk ka armëpushim dhe konflikti është ndezur, nuk ka asnjë mundësi që të ketë monitorues në të gjithë Gazën për të monitoruar se si shpërndahet ndihma.”, - u shpreh koordinatorja e Lartë për Ndihmën humanitare dhe Rindërtimin për Gazën, Sigrid Kag.
ShBAja, ndonëse kryesisht mbështet qëllimet e Izraelit, ka gjithashtu një interes të fortë për t'i dhënë fund një lufte që ka shkaktuar jostabilitet rajonal dhe ka ndarë votuesit demokratë në një vit zgjedhor. Ata shpresojnë se marrëveshja do të pranohet dhe zbatohet së shpejti.
BELINDA KOKA ADEMI
