Rasti “Frroku”, dorëhiqet drejtori i përgjithshëm i policisë

31.03.2015 19:07

Çështja e vrasjes në Belgjikë nga deputeti, Mark Frroku, po shkakton një furtunë të vërtetë në radhët e policisë në Shqipëri...

Shefi i Interpolit-Tiranë dhe një punonjëse në varësi të tij janë arrestuar mbrëmjen e djeshme, arrestim i cili është pasuar sot me dorëheqjen e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Artan Didi.

Nëpërmjet një letre dërguar kryeministrit, Edi Rama, dhe ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahirit, kryepolici njoftoi dorëheqjen e tij të parevokueshme. Në kërkesën e tij për dorëheqjen thuhet se shkelja e procedurave nga ana e specialistes së Interpolit dhe shefit të zyrës përkatëse i vuri ata përballë përgjegjësisë penale dhe cenoi imazhin e Policisë së Shtetit.

Pak orë pas dorëheqjes, ministri i Brendshëm, Tahiri, vlerësoi veprimin e Didit, duke e cilësuar atë si person me integritet dhe profesionalizëm të lartë.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetit demokrat, Edmond Spaho. Ai kërkoi dorëheqje të menjëhershme të ministrit të Brendshëm.

Po gjatë ditës së sotme, Këshilli i Mandateve në Kuvendin e Shqipërisë miratoi kërkesën e prokurorisë për hapjen rrugë të arrestimit të deputetit, Mark Frroku, për një vrasje të kryer në Belgjikë në vitin 1999. (Luljeta Ndoka, TVM2)