MASH: Matematika, obligative vetëm për drejtimin matematiko-natyror
Lënda e matematikës nuk do të jetë e detyrueshme për të gjithë nxënësit në shkollat e mesme, por vetëm për nxënësit të cilët janë të regjistruar në arsimin në gjimnaz dhe të cilët në fund të vitit të dytë, gjegjësisht në fillim të vitit të tretë të arsimit të mesëm, kanë zgjedhur sferën natyrore-matematikore...

Kështu u dakorduan në takimin e sotëm udhëheqësia e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës me Unionin e Nxënësve të Shkollave të Mesme të Maqedonisë, në të cilin, me kërkesë të nxënësve të shkollave të mesme u diskutua për situatën aktuale dhe kapërcimin e sfidave që lidhen me ndryshimet e fundit në procesin e kalimit të provimit të maturës shtetërore, si një proces i verifikimit të njohurive të fituara në arsimin e mesëm dhe parakusht për vazhdimin e arsimit të lartë.
Sipas marrëveshjes, për gjimnazistët të cilët kanë zgjedhur sferën shoqërore–humanitare, si edhe për të gjithë nxënësit e shkollave të mesme profesionale matematika do të jetë lëndë me mundësi të zgjedhjes, përveç gjuhës së huaj, gjegjësisht do të jepet provimi vetëm nëse nxënësi e zgjedh atë, në përputhje me vullnetin, bindjen dhe afinitetit e tij personal.
Në takim u arrit edhe dakordimi, sipas të cilit Ministria e Arsimit dhe Shkencës në periudhën vijuese do të dorëzojë një letër deri te të gjithë fakultetet e sferës së shkencave teknike, me të cilën ju rekomandohet që prioritet në politikat e regjistrimit, gjegjësisht selektimit, të kenë kandidatët të cilët në maturën shtetërore kanë zgjedhur dhe kanë kaluar me sukses lëndën e matematikës.
Si shtesë, prej fakulteteve në sferën e shkencave teknike do të kërkohet që të shqyrtojnë edhe mundësinë për dhënien e bursave për kandidatët të cilët gjatë arsimit të mesëm kanë realizuar arritje të mëdha lidhur me njohuritë matematikore.
