Botë
BE thirrje Kosovës, kërkon tranzicion më të gjatë për dinarin
01.02.2024 14:04
Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Kosovës që të ofrojë periudhë të gjatë tranzicioni...

Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Kosovës që të ofrojë periudhë të gjatë tranzicioni për largimin nga përdorimi i dinarit serb, pasi prej prej më një shkurt hyri në fuqi një rregullore që parasheh vetëm përdorimin e valutës euro për pagesa në Kosovë. Brukseli shprehu shqetësim për vendimin e BQK-së për pagesat vetëm me euro, pasi sipas bllokut, ky vendim, që pamundëson përdorimin e dinarëve serb, mund të ketë pasoja në jetën e përditshme të serbëve në Kosovë.
“Bashkimi Evropian merr parasysh Rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila pritet të hyjë në fuqi sot. Rregullorja synon të rrisë transparencën e flukseve financiare, të sigurojë stabilitetin financiar dhe të luftojë pastrimin dhe falsifikimin e parave. BE-ja vëren se Rregullorja do të ndikojë edhe në mbështetjen financiare që serbët e Kosovës marrin nga Serbia. BE-ja është e shqetësuar për pasojat që ky vendim mund të ketë në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës dhe komuniteteve të tjera në mbarë Kosovën për shkak të mungesës së konsultimeve paraprake, veçanërisht për ndikimin e tij në shkolla dhe spitale, duke pasur parasysh mungesën e dukshme të alternativave në këtë moment.”, - thuhet në reagimin e BE-së.
Blloku evropian po ashtu bëri thirrje që Kosova “të gjejë një zgjidhje të negociuar për këtë çështje në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar” nga Brukseli. I pyetur për çështjen e valutës së dinarit, për çka ka reaguar edhe BE-ja, kryeministri Kurti tha se faza tranzitore ka nisur prej dhjetorit të vitit të kaluar dhe gjithçka ka shkuar në rregull.
“BKQ e Kosovës është institucion i pavarur i Republikës së Kosovës, nuk munden politikanët t’i mbivendosen institucionet e pavaruar të shtetit sepse asisoj e humbim karakterin republikës demokratike për vendin tonë të pavarur, andaj ne duhet të përpiqemi që gjithçka të shkoj mirë, qetë me paqe e me siguri, por kushtetutshmëria, ligjshmëria dhe vendim marrja e institucioneve të pavarura nuk mund të negociohet nga politikanët.”, - tha Albin Kurti, kryemnistër i Kosovës.
Vendimi është kundërshtuar nga Lista Serbe por edhe nga Beogradi zyrtar, duke theksuar se kjo rrezikon ekzistencën e serbëve në Kosovë, të cilët marrin paga, apo ndihma nga Serbia.
GYLTENE SINANI
