Maqedoni
Propozimi për uljen e pagave, të punësuarit në FSSH kërcënohen për grevë
01.02.2024 14:30
Punonjësit në Fondin për Sigurim Shëndetësorë do të shpallin grevë nëse Komisioni merr një vendim...

Punonjësit në Fondin për Sigurim Shëndetësorë do të shpallin grevë nëse Komisioni merr një vendim që do t'u ulë pagat deri në 21%. Qytetarët janë të revoltuar pasi nuk mbarojnë dot punë, ata u ankuan se u duhej të prisnin me orë të tëra për një verifikim të thjeshtë. Punonjësit e Fondit kërkojnë të mbajnë pagat që u janë paguar për muajin dhjetor dhe të mos bëjnë ulje të re. Sindikalistët mbeten të mendimit se do t'i mbrojnë deri në fund të drejtat e punëtorëve, pasi siç thonë, ata e meritojnë.
“Buxheti i Fоndit për Sigurim Shëndetësor është i ndarë nga buxheti qendror, mjetet për paga nuk janë paraparë nga Buxheti Qendror por nga Buxheti i FSSH-së dhe asnjëherë nuk ka pasur një problem të tillë dhe ndërhyrje të tillë në punën e FSSH-së nga ana e Qeverisë dhe Ministria e Financave.”, tha Tërpe Deanoski, kryetar i Sindikatës së “SPAGJSHQ”.
Nëse do të ketë grevë të punonjësve të FSSH, në sportele do të punojë vetëm një person, i cili do të marrë vetëm dokumentacion, pra e gjithë barra do të bjerë mbi kurrizin e qytetarëve. Mbetet për t'u parë se cila do të jetë fjala e fundit nga Komisioni nëse do t'u zvogëlohen pagat. Vendimi për uljen e pagave prek 831 punonjës të Fondit të Shëndetësisë. Nëse kjo ndodh, nuk do të ketë receta, udhëzime, pagesa nga fondi, domethënë gjithçka do të ndalet.
VLORA LATIFI TOPOJANI
