Maqedoni
Strugë, edukatoret me kontrata bojkotuan punën
01.02.2024 14:50
Ashtu siç edhe paralajmëruan para disa ditësh, rreth 20 edukatore dhe kujdestare me kontrata në çerdhet e Strugës...

Ashtu siç edhe paralajmëruan para disa ditësh, rreth 20 edukatore dhe kujdestare me kontrata në çerdhet e Strugës bojkotuan shkuarjen në punë. Ata thanë se më nuk do të punojnë me 10.000 denarë rrogë pa sigurim pensional dhe shëndetësor, siç kanë bërë prej vitesh. Në mëngjes në çerdhet e Strugës nuk kishte shumë fëmijë, për ata të cilët ishin u kujdesën edukatoret që janë me punësim të rregullt. Megjithatë, prindërit janë të shqetësuar që nga e hëna kur të gjithë fëmijët do të kthehen në çerdhe, nuk do të ketë kush të kujdeset për to.
“Jemi edhe ne në situatë të keqe, do të duhet të japim dorëheqje prej pune nuk kemi asnjë lloj zgjidhje për këtë, shumica e prindërve do të duhet të marrim hapa tjerë që të gjejmë zgjidhje.”, u spreh një prind.
“Duhet të rregullohet statusi i tyre, sepse ne si prindër i dërgojmë këtu fëmijët, s’kemi ku t’i dërgojmë diku tjetër. Prandaj duhet institucionet të reagojnë dhe ta rregullojnë. Unë sjell dy fëmijë këtu.”, tha një prind.
“Sigurisht që jemi të shqetësuar, sepse ky nuk është problem vetëm i të punësuarve por edhe i çdo prindëri që i sjell fëmijët këtu, sepse nëse nuk ka kush të kujdeset për fëmijët do duhet ne të japim dorëheqje prej punëve tona.”, u spreh një prind.
Edukatoret dhe kujdestaret me kontrata i qëndruan paralajmërimit që nga një shkurti nuk do të vijnë në punë dhe thonë se do të bojkotojnë deri sa t’u rregullohet statusi i punës.
“Punojmë me kontratë, marrim deri në 10 mijë denarë rrogë, presim që të marrim të gjithë vendim, 4 muaj nuk jemi në punë, kemi bërë kërkesë në Komunë të na rregullojnë, nuk ka përgjigje askund.”, tha Semra Shahin, edukatore me kontratë.
“Është e padurueshme nga ana psikologjike, padurueshme, por edhe nga ana materiale e njëjta gjë. Kemi vite që presim që të rregullohet kjo është vërtet e tepërt.”, tha Vesna Markoski, edukatore me kontratë.
Drejtoresha e mëparshme dha dorëheqje para më shumë se një jave, ndërsa drejtoresha e re ka qenë në takim me kryetarin e komunës dhe thotë se po punohet për zgjidhjen e problemit, prioritet mbetet përkujdesja për fëmijët.
ILMIE ZHAKU
