Maqedoni

Keqpërdorimet në Onkologji, VMRO-DPMNE: E përfëshirë qeveria LSDM dhe BDI

01.02.2024 16:10

Ndërkohë që Prokuroria Themelore Publike, vazhdon hetimet për zbardhjen e rastit në Klinikën e Onkologjisë...

Ndërkohë që Prokuroria Themelore Publike, vazhdon hetimet për zbardhjen e rastit në Klinikën e Onkologjisë, ku dyshohet se janë përfëshirë 5 persona për keqpërdorim të detyrës dhe dëmtimin e buxhetit me 30 milion euro. VMRO-DPMNE, akuzon LSDM-në dhe BDI-në, për neglizhencë edhe përfshirje në këtë skandal.
 
“Gjashtë muaj LSD dhe BDI kanë heshtur dhe nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim në lidhje me krimin onkologjik. Dikush po bënte para në kurriz të të sëmurëve rëndë nga kanceri dhe në vend të terapisë u dha zgjidhje fiziologjike. Mosveprimi i LSD-së dhe BDI-së për 6 muaj tregoi se nuk kanë as vullnet e as interes për të sanksionuar krimin e Onkologjisë. Çështja e Onkologjisë nuk do të ishte e mundur pa korrupsionin e Qeverisë.”, - thonë nga VMRO-DPMNE.
 
LSDM: Ka 20 vite që flitet, në kohën tonë zbardhet
 
Ndërkohë  sipas LSDM-së, për këtëskandal përshpëritet mbi 20 vite, që kur ishte VMRO-DPMNE-ja në pushtet, por vetëm tani rasti është hapur për hetim.
 
“Pas 20 vitesh pëshpëritje dhe mosveprimi, institucionet kompetente hapën dhe po e zbardhin rastin e Onkologjisë mu në kohën e LSDM-së. Qytetarët e dinë se gënjeshtrat e DPMNE-së janë konfirmuar nga komisioni hetimor parlamentar. Publiku e pa që DPMNE-së nuk i interesonte fare e vërteta, nuk i interesojnë pacientët, pasi nuk kishin ndërmend të ndërmerrnin asgjë.”, - thuhet në njoftimin e LSDM-së
 
Sipas kësaj partije, të gjithë të përfshirët në këtë skandal do të mbajnë përgjegjësi dhe rasti do të zbardhet deri në fund. PSP ka nisur hetime ndaj 5 personave të punësuar në këtë klinikë. Dy ish-drejtorëve, Nikolla Vasev dhe Nehat Nuhi, të cilëve u janë konfiskuar pasaportat, si dhe tre onkologëve të tjerë, të dyshuar se kanë asistuar në një krim mashtrimi në shërbim. Ata ngarkohen për shpërdorim detyre, duke kryer ekzekutime të shumëfishta të veprës së njëjtë, me qëllim të përfitimit pasuror të paligjshëm, kanë mashtruar personin e autorizuar në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, për të bërë pagesë të paligjshme parash për blerjen e barnave që kanë shpenzuar dhe porositur në kundërshtim me rregulloret ligjore dhe nënligjore, pa një kolegjium ekspertësh të krijuar dhe pa protokolle përkatëse mjekësore. Prokuroria Themelore Publike, apelon tek të gjithë pacientët që të lajmërohen në Prokurorinë Publike dhe të raportojnë për çdo paligjshmëri dhe keqpërdorim të mundshëm që kanë hasur.
 
FARIJE DAUTI BAKIU