Botë

BE ndihmon Ukrainën me 50 miliardë euro, Orban dakordohet për ndihmën

01.02.2024 18:01

Bashkimi Evropian arriti njëzëri marrëveshje për të dhënë Ukrainës ndihmë...

Bashkimi Evropian arriti njëzëri marrëveshje për të dhënë Ukrainës ndihmë prej 50 miliardë eurosh. 27 liderë të shteteve anëtare në samitin  e Brukselit  arritën një konsensus pasi u tejkaluan mosmarrëveshjet me kryeministrin hungarez Viktor Orbán, i cili vendosi veto në dhjetor. Si Kievi ashtu edhe Brukseli e përshëndetën marrëveshjen e arritur.
 
“E mirëpresim marrëveshjen për të ofruar ndihmë financiare afatgjate për Ukrainën. Ky është një lajm i mirë. Ukraina është prioriteti ynë. Kjo do të na sigurojë besueshmërinë, legjitimitetin dhe parashikueshmërinë që pritet nga ne, sepse siguria e Ukrainës nënkupton edhe  sigurinë  evropiane”, u shpreh kryetarja e parlamentit evropian Roberta Mekola. 
 
“Është shumë e rëndësishme që vendimi u mor unanimisht nga të gjithë  27 liderët.  Kjo është edhe një tjetër tregues i unitetit dhe mbështetjes suaj të fortë për Ukrainën. Në samitin e fundit u vu në pikëpyetje besueshmëria e Bashkimit Evropian por tani e forcuam atë së bashku”, theksoi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
 
Pakoja financiare  prej 50 miliardë eurosh do të ndihmojë Ukrainën të paguajë për pensionet, pagat dhe shpenzimet  tjera gjatë viteve të ardhshme. Kievi pret këstin e parë të paketës në mars.
 
Përderisa liderët evropianë në samitin e jashtzakonshëm  diskutuan rishikimin e kornizës financiare të BE –së  për periudhën 2021-2027, fermerët evropianë bllokuan rrugët dhe sheshet përreth institucioneve evropiane. Fermerët janë të pakënaqur nga shpenzimet e rritura  dhe byrokracia.
 
FLUTURA LATIFI