Futboll

IFFHS, Struga TL skuadra më e mirë vendore

01.02.2024 15:56

Federata Ndërkombëtare e Historisë dhe Statistikave të Futbollit...

Federata Ndërkombëtare  e Historisë dhe Statistikave të Futbollit, IFFHS  (International Federation of Football History and Statistics),   ka publikuar së fundmi listën e klubeve më të mira në botë nisur nga arritjet që ata kanë në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare  për periudhën kohore , 1 janar 2023-31 dhjetor 2023.
 
Në këtë rang-listë janë publikuar vetëm 906 klube. Në listën prej 692 klube ndodhen edhe dymbëdhjetë skuadra shqiptare që aktivitetin e tyre e ushtrojnë në Maqedonia e Veriut, Shqipëri dhe Kosovë. Sa i përket  LPFM-së, kampioni aktual është me renditjen më të mirë. Struga Trim Lum është klubi me arritjet më të mira, që mban vendin e 261-të me 72.5 pikë.  “Liqenasit” në krahasim me një vit kanë shënuar ngritje për 14 pozita.
 
Pas tyre mbesin Shkupi i 435 me 55.75 si dhe Shkëndija 482 me 52 pikë. Të dyja këto kanë humbur pozita 46 gjegjësisht 34 pozita. Skuadra më e mirë mbarëshqiptare sipas IFFHS-së mbetet Ballkani, klubi kampion në Kosovë, që renditet në vendin e 165-të me 97 pikë.
 
Skuadra nga Suhareka ka humbur 8 pozita nga renditja e një vit më parë.  Sa i përket Kategorisë Superiore (Shqipëria), Partizani është klubi me arritjet më të mira, që mban vendin e 201-të me 87.75 pikë. Kryesimi i listës së  klubeve më të mira në botë i takon fituesit të Ligës së Kampionëve,  Premier Ligës angleze si dhe Kupës së Botës për klube  Mançester Siti. 
 
Renditja e klubeve mbarëshqiptare  në renditjen vjetore të IFFHS-së
Vendi           Klubi           Pikët
165         BALLKANI                 97
201         PARTIZANI                87.75
261         STRUGA                      72.5
326         TIRANA                      64.75
353         EGNATIA                    61.5
435        SHKUPI                        55.75
482         SHKËNDIJA (T)         52
519     VLLAZNIA                      49.5
 
SAFET ADEMI