Maqedoni

Qeveri, Xhaferi priti në takim eurodeputetin Kyçyk: Vazhdimi i zgjerimit, interes edhe i BE-së

02.02.2024 14:34

Kryeministri Talat Xhaferi ka pritur në takim eurodeputetin Ilhan Kyçyk...

Kryeministri Talat Xhaferi ka pritur në takim eurodeputetin Ilhan Kyçyk, raportues në Parlamentin Evropian për Republikën e Maqedonisë së Veriut. Siç njoftojnë nga kabineti i Xhaferit, kryeministri theksoi kënaqësinë për mbështetjen nga ana Kyçykut në promovimin e dosjes evropiane të Maqedonisë së Veriut në Parlamentin Evropian dhe kontributin e tij personal në marrjen e vendimeve të rëndësishme për vendin. 
 
“Shembulli i fundit i suksesshëm në atë drejtim ishte procesi i “Dialogut Zhan Mone”, në kuadër të të cilit zhvilloheshin bisedimet për Rregulloren e re të Kuvendit, e cila u miratua me konsensus nga deputetët. Në takim u shkëmbyen mendime për përparimin e shtetit në kontekst të integrimit në Bashkimin Evropian, si dhe për situatën e brendshme politike para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare dhe presidenciale. Kryeministri Xhaferi theksoi se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet synim strategjik i Republikës së Maqedonisë së Veriut, andaj zotim i fuqishëm i Qeverisë mbetet përmbushja e obligimeve që janë pjesë e kornizës së negociatave me BE-në.”, ka theksuar kryeministri, Xhaferi. 
 
Njëherit të dy bashkëbiseduesit kanë shkëmbyer vlerësimet për reformat e deritanishme në vend, si dhe për dinamikën e marrëdhënieve ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian. 
 
“Të dy bashkëbiseduesit ranë dakord se vazhdimi i procesit të zgjerimit është në interes të Bashkimit Evropian dhe në këtë mënyrë, shtetet e Ballkanit Perëndimor do të përqendrohen në forcimin e zbatimit të proceseve reformuese.”, thuhet në njoftimin e Qeverisë. 
 
Duke i uruar zgjedhjen në postin e kryeministrit, Talat Xhaferit, Kyçyku theksoi se kjo zgjedhje është sukses jo vetëm për Maqedoninë e Veriut, por edhe për rajonin, pasi Maqedonia e Veriut u bë edhe një herë shembull për shumë vende evropiane për funksionimin e suksesshëm të demokracisë multietnike. Në këtë kontekst kryeministri Xhaferi, ka theksuar se zgjedhja e tij në këtë pozitë është një sinjal i fuqishëm për një shoqëri multietnike në vend. 
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU