Maqedoni
Qeveria planifikon rritjen e pagës minimale, Simov: Problem shtesë në funksionimin e kompanive
02.02.2024 14:52
Qeveria në pranverë planifikon të rritë pagën minimale....

Qeveria në pranverë planifikon të rritë pagën minimale. Lajm i mirë për të punësuarit në sektorin privat, por shumë i pasigurt për sektorin e biznesit, pasi që hapet “kutia e Pandorës” nëse me të vërtetë kompanitë kanë mjete për t’i shlyer pagat e reja me rritje dhe se çfarë do të ndodhë me rritjen e pagave të tjera në vend. Nënkryetari i Lidhjes së Odave Ekonomike dhe njëherit profesori universitar, Orce Simov, është i mendimit se kjo nuk do të përmirësojë gjendjen ekonomike të qytetarëve dhe se do të shkaktojë probleme shtesë financiare në funksionimin e rregullt të kompanive, pasi që siç vlerësojnë ata, kompanitë veç më janë duke i shpenzuar rezervat e tyre financiare për t’i shlyer pagat aktuale minimale dhe çdo gjë tjetër shtesë, vetëm do t’ua vështirësojë edhe më shumë gjendjen e tyre financiare.
“Për ta rritur pagën minimale në mënyrë reale, ku rritja e kësaj page nuk do të jetë vetëm në shumë nominale, por në shumë absolute dhe për të pasur efekt real nga rritja pagës minimale, ne duhet të rrisim vlerën, respektivisht të rrisim bruto prodhimin tonë vendor, ndërsa në këtë mënyrë nëse rriten shpenzimet e jetesës njëjtë siç rritet paga minimale, fuqia blerëse nuk do të rritet, por mbetet e njëjtë apo dobësohet edhe më shumë dhe kjo nuk është zgjidhje.”, - deklaroi profesori universitar, Orce Simov.
Simov nuk përjashton mundësinë që rritja e pagës minimale të manifestohet negativisht në sektorin privat me largimin e qytetarëve nga puna.
“Nëse disa kompani gjatë procesit të tyre të punës nuk sigurojnë mjete të mjaftueshme për këto paga, mund të ndodh që të paraqiten edhe largime nga puna. Prandaj them se në këtë drejtim është kyçe që të lehtësojmë procedurën e udhëheqjes së bizneseve, pra të mos kemi krizë në udhëheqjen e bizneseve dhe nuk do të ketë pasiguri tek kompanitë.”, - theksoi profesori universitar, Orce Simov.
Nga muaji mars paga minimale do të jetë 22,500 denarë. Rritje më shumë se dyfish nga paga minimale e vitit 2017.
REXHEP QAMILI
