Maqedoni
Zgjedhja e anëtarit të KShZ-së, Mitreski është në kërkim të zgjidhjes
02.02.2024 15:10
Vazhdon statusi i padefinuar rreth emërimit të anëtarit të 7-të të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve....

Vazhdon statusi i padefinuar rreth emërimit të anëtarit të 7-të të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve. Bisedimet po vazhdojnë në mes palëve, por deri më tani asnjëra nga palët nuk ka lëshuar pe. Edhe Aleanca për Shqiptarët, por edhe Lidhja Evropiane për Ndryshim mbesin në qëndrimin paraprak se anëtari i 7-të i Komisionit Shtetëror Zgjedhor u takon atyre. Në luftë për vendin e lirë në KShZ janë përfshirë edhe partitë politike maqedonase, duke mbajtur haptazi anë për njërën nga blloqet.
Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë përkrah partnerin e tyre të koalicionit, ndërsa VMRO-DPMNE-ja haptazi qëndron pas Lidhjes Evropiane për Ndryshim. Por, nga këto të fundit përgjegjësinë për këtë mosdefinim të statusit të anëtarit të 7-të në KShZ e bartin tek ish-kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, por mbajnë shpresa se kryetari i ri do ta shtyjë këtë emërim.
“Deri më tani, siç e dini se ku ka qenë problem, pra puna ka qenë e bllokuar në Kuvend nga ish-kryeparlamentari, por tani me kryetarin e ri të Kuvendit ta shohim se çfarë qasjeje do të kenë në këtë drejtim. Ne akoma presim që ligjërisht presim që të zgjidhet anëtari i opozitës së përbashkët.”, - theksoi Daut Memishi nga LEN-i.
Por, është e qartë se tani vendimi më i rëndë ka mbetur në duart e kryetarit të sapozgjedhur të Kuvendit, Jovan Mitrevski, të cilit në fillim të javës i dështuan përpjekjet për të gjetur ndonjë konsensus, ai për RTVM shkurt theksoi se është duke vazhduar të bisedojë me partitë politike. Njëra nga insistimet ka qenë që të dy kandidatët e propozuar nga ASh-ja dhe nga LEN-i të gjenden ne seancën plenare dhe për të njëjtit të votohet, por këtë e kundërshton opozita e bashkuar shqiptare, e cila këtë veprim e quan si presedan, sepse sipas tyre praktikat e deritanishme kanë qenë që një kandidat të jetë në seancë kuvendore dhe për të është votuar. Pas këtij kundërshtimi, momenti i veprimit është kthyer tek kryetari i Kuvendit, i cili do të duhet të gjejë konsensus.
FITIM KRYEZIU
