Maqedoni

Dokumentet personale, edhe dhjetë ditë afat për ndërrim të dokumenteve

02.02.2024 15:28

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut kanë edhe 10 ditë kohë për të ndërruar dokumentet e udhëtimit...

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut kanë edhe 10 ditë kohë për të ndërruar dokumentet e udhëtimit. Pas kësaj periudhe ata nuk do të mund të dalin jashtë shtetit me pasaportat me emrin e vjetër. Para punktit në stacionin policor në “Prolet” ka ende qytetarë të nervozuar që presin me orë të tëra.
 
“Kam ardhur diku kah ora 9:30. Mendoj se kjo është nënçmuese dhe jo e përshtatshme për njerëzit.”, - u shpreh një qytetar.
 
“Jemi këtu prej orës 7:30, tani ora është 13:00. Ja, tani po bëjnë pauzë. Prej dhjetë sporteleve, pas pauzës do të punojnë vetëm 3 sportele, për shkak se ashtu bëjnë. Ja këtu ka persona që presin prej dje që nuk kanë kryer punë.”, - u shpreh një qytetar tjetër.
 
“Në vitin 2021 kam nxjerrë letërnjoftimin, më shkruan me emrin Maqedonia. Përse atëherë nuk ma kanë bërë me emrin Maqedonia e Veriut?”, - tha një qytetar. 
 
Pas 12 shkurtit letërnjoftimet dhe patentat e shoferit me emrin e vjetër të shtetit do të mund të shfrytëzohen vetëm për përdorim të brendshëm. Gjithashtu deri më 12 shkurt duhet të ndërrohen edhe targat e makinave që janë të shënuara me MK. Ngjitëset me NMK siç njofton MPB-ja do të kushtojnë maksimumi 50 denarë, ndërsa qytetarët do të mund t'i marrin në stacionet për kontroll teknik të automjeteve. Ndërkohë, ministri teknik i Punëve të Brendshme, Toshkovski, në takimin me Sindikatën e Policisë ka premtuar shpërblime për punonjësit në MPB, që do të ndihmojnë me krizën e dhënies së dokumenteve personale.
 
“Në takim, ministri Toshkovski u ka thënë përfaqësuesve të sindikatave, se secili pjesëtarë i MPB-së që do të ndihmojë që të tejkalohet kriza me dhënien e dokumenteve personale, do të shpërblehet për punën e tij.”, thonë nga MPB-ja.
 
Nga ana tjetër, LSDM-ja ka akuzuar VMRO-DPMNE-në se ka mashtruar qytetarët se do ta zgjidhin problemin me lëshimin e pasaportave. 
 
“Ata thanë se MPB-ja nuk ka punuar me të gjitha kapacitetet, se Spasovski nuk mund ta zgjidhë problemin dhe se do të prolongonin afatin e vazhdimit të pasaportave të vjetra. Kjo ishte para se VMRO-DPMNE-ja të hynte në Qeverinë teknike dhe kur hyri në Qeveri, VMRO-DPMNE-ja ndërroi kahjen.”.
 
Përndryshe nuk ka asgjë nga paralajmërimet e autoriteteve se do të bisedojnë me Greqinë për vazhdimin e afatit. Nga Athina për MIA-n janë deklaruar se është shumë e vështirë për Greqinë, që të pranojë vazhdimin e afatit për ndërrimin e pasaportave dhe lejeve të vozitjes. 
 
ERSAN PAJAZITI